Bubeqi: Korabi ka merituar gjithçka, nuk do jemi më ekipi i rasteve të humbura

Skuadra e Korabit u rendit në vendin e 4-t në 14 ndeshjet e luajtura të grupit A në Kategorinë e Parë. Për trajnerin Dorian Bubeqi, ky është një objektiv i realizuar dhe për SportEkspres.com ai deklaroi se kjo arritje është pjesë e punës të përbashkët në këtë skuadër. Pa diskutim ai veçon mbështetjen e presidentit Fehmi Mziu.

Ndërsa për pjesën e dytë të këtij sezoni, tekniku kavajas deklaron se synimi është që në fazën e dytë Korabi të renditet në pesë skuadrat e para të Grupit A dhe në fazën e tretë që do të përgjysmohen pikët, skuadra do të synojë një renditje edhe më të mirë se kjo e 14 javëve të para.

INTERVISTOI: AGRON KAJA

Pas javës së 14-të, Korabi u rendit në vendin e 4-t në Grupin A të Kategorisë së Parë. Ishte ky synim i arritur për ju?
-Synimi ynë në fillimin e këtij sezoni ishte që Korabi të renditej në pesë skuadrat e para të Grupit A. Aktualisht, pas javës së 14-të ne u renditëm në vendin e 4-ët me 21 pikë. Kjo arritje është pjesë e punës të përbashkët, pa diskutim dhe e mbështetjes së presidentit Fehmi Mziu.

Kryesisht në fazën e parë, skuadra e Korabit tregoi luhatje në lojë dhe në renditje. Pse ndodhi kjo situatë?
-Sepse skuadra erdhi e pa konsoliduar mirë në kampionat pas fazës përgatititore, por edhe kalendari i fazës së parë nuk ishte shumë i favorshëm për ne. Në fazën e dytë skuadra e rriti nivelin e lojës dhe rezultatet ishin më shumë pozitive. Kjo luhatje i shërbeu për mirë Korabit.

Pse pikërisht në katër ndeshjet e fazës së dytë ju mendoni se kolaudimi i skuadrës ishte kryesori në rezultate?
-Sepse kryesisht në ndeshjet e fazës së dytë skuadra e Korabit e tregoi fytyrën e vërtetë. Alternimi që ne bëmë në skuadër, ku krahas futbollistëve më me përvojë si Hoxha, Doçi, Karaj e Kalluci, aktivizuam të rinj dibranë, si Raza, Murja e Skuka. Kjo ka qenë politika e klubit.

Dhe ju mendoni se Korabi duhet të kishte grumbulluar më shumë pikë në 14 ndeshjet e luajtura?
-Për mua si trajner, ekipi e ka merituar renditjen në vendin e 4-t në Grupin A, por duhet të kishim më shumë pikë. Jemi treguar ekip i rasteve të humbura në ndeshje të veçanta, ku edhe kemi lënë pikë. Kjo gjë nuk do të ndodhë në pjesën e dytë të Kampionatit.

Në këtë sezon, a ka patur Korabi mbështetje nga pushtet lokal në Peshkopi?
-Nëse do të ishte për pushtetin lokal në Peshkopi, skuadra e Korabit sot mund të ndodhej në vendet e fundit të renditjes. Por falë mbështetjes së presidentit të skuadrës, Fehmi Mziu, ne ndodhemi sot në pozitat e vendit të katërt në Grupin A.

Kjo periudhë pushimi pa aktivitet zyrtar, si do të shfrytëzohet nga ana juaj?
-Janë katër javë pa aktivitet zyrtar dhe ne kemi menduar që skuadra të mblidhet në javën e parë të muajit janar 2019. Në programin tonë për këto javë janë tri pika: stërvitje-ndeshje miqësore-merkato. Por këtu me shumë kujdes, pasi tregu i dimrit nuk ofron shumë lojtarë cilësorë.

Në katër javët e fazës së dytë dhe për fazën e tretë, cili mbetet synimi i Korabit?
-Synimi ynë është që në fazën e dytë Korabi të renditet në pesë skuadrat e para të Grupit A dhe në fazën e tretë që do të përgjysmohen pikët, do të synojmë një renditje edhe më të mirë se kjo e 14 javëve të para.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *