Dejvi Bregu e ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme aventurën e tij te Skënderbeu, sepse shënoi në Superkupë, ku ishte vendimtar, ashtu si ishte vendimtar edhe sot, me penalltinë e fituar në minutën e fundit të ndeshjes.
Fantazisti vlonjat është ambientuar me shpejtësi te kampionët në fuqi dhe po kthehet në lider, sepse po bën gjërat që bënte në Gjirokastër dhe po zgjidh situatat më së miri. Pas ndeshjes, në “Gol pas goli” në Supersport vlonjati nuk e fshehu kënaqësinë, ndërsa i dha një mesazh Lorenc Trashit, i cili protestoi për penalltinë.
“Penalltia? Ishte neto, duket qartë. Hoxha nuk e preku topin, ndërsa më ndali me faull. Ishte e vështirë ta kapja, sepse fusha ishte e lagur dhe topi rrëshqiste shpejt, por ia dola mbanë të fitoja një penallti me shumë vlerë”.
“Start i mbarë? Jam shumë i kënaqur, kam shënuar, kam fituar një penallti sot, gjithçka perfekte.
“Një vlonjat te Skënderbeu? E çuditshme, por gjithçka ndodh”.
“Ndryshimi mes Skënderbeut e Luftëtarit? Në Korçë ka shumë uri për suksese dhe është një klub i mësuar me trofe. Shpresoj të bëj mirë, ashtu si bërë në Gjirokastër, ku besoj se dhashë maksimumin”.
“Vështirësi ndaj rivalëve që mbrohen fort? Është normale që të kem, dihet që rivalët do mbrohen fort, por skuadra është cilësore dhe më ndihmon shumë, ndaj nuk besoj se do të kem probleme”.