Brazili pak ditë më parë publikoi listën për miqësoret që kombëtarja e Tites do të luajë këtë muaj. Në listën për këto sfida ra në sy përsëri mospërfshirja e një emri në veçanti. Bëhet fjalë për mesfushorin e Napolit, Alan.
Braziliani po kthehet në çështje në Brazil, pasi mjafton të kujtohet dhe rasti i Zhorzhinjos. Mesfushori i Çelsit, aktualisht shihet si një ndër mesfushorët më të mirë të Premier Ligës dhe ky i fundit aktivizohet me kombëtaren italiane, pavarësisht kombësisë së tij braziliane.
Duket se Mançini po mendon seriozisht që të thërrasë mesfushorin e Napolit, i cili po bën mjaft mirë dhe është një lojtar kyç për ekipin e Ançelotit. Gjithsesi Mançini ka deklaruar se, varet nga vullneti i lojtarit në rast se ai do të dojë të aktivizohet me Italinë. Alan gjithashtu ka folur në lidhje me këtë temë, por pa thënë diçka konkrete.
“Kjo temë po diskutohet shumë dhe nuk dua të flas shumë. Përpiqem që punën timë ta bëj në fushë. Nga federata braziliane nuk kam pasur asnjë kontakt deri më sot, kështu që tani për tani jam i përqendruar totalisht te Napoli”, ka përfunduar Alan.