Xhani Infantino, presidenti i FIFA-s, e cilësoi “Botërori më i mirë në histori”. Evenimenti në Rusi do të kujtohet se vendosi një “rregull të ri futbolli”, me përfshirjen e sistemit Var, për penalltitë e sinjalizuara nëpërmjet imazheve video, golat e realizuar me strategji dhe shumë autogola…
73 gola me strategji
Anglia realizoi 9 nga 12 golat e saj nga goditje standarde. ky fenomen ishte më i rëndësishëm se asnjëherë tjetër, me 73 rrjeta nga 169 në total që erdhën nga topa jo-aktivë. Plot 43 për qind në total. 26 gola u realizuan nga goditje këndi, 22 me penallti, 17 pas nisjes së lojës nga ndërhyrje të gabuara, 6 me goditje dënimi direkte dhe 2 nga rivëniet anësore.
Ndikimi i Var
Sistemi Var ka ndikuar në futbollin modern dhe kjo u konfirmua në Botërorin 2018. Në evenimentin në Rusi u akorduan më tepër 11-metërsha se asnjëherë tjetër: plot 28 të tilla, nga të cilat 22 u shndërruan në gol. Rekordi i mëparshëm ishte 18 penallti në Itali ’90, France ’98 dhe Koreja e Jugut0Japoni në vitin 2002.
“Armiku” në shtëpi
Mario Mandzukiç me autogolin e parë në një finale të Kupës së Botës kurorëzoi evenimentin me më tepër gola në portën e gabuar. Në total 12 autogola. Një statistikë sa dyfishi i primatit të mëparshëm.
Vetëm një barazim 0-0
Në Rusi u shënuan 169 gola, por nuk u thye rekordi me 171 gola i France ’98 dhe Brazil 2014. Rezultati 0-0 u regjistrua vetëm në një rast, në ndeshjen e fundit në grup ndërmjet Francës dhe Danimarkës, ku të dyja ekipeve u nevojitej vetëm një pikë për tu kualifikuar.
9 gola në shtesë
Me ndalesat e sistemit Var, koha shtesë në ndeshje u rrit në mënyrë të dukshme. Kjo bëri që në Rusi të shënoheshin shumë gola pas përfundimit të lojës së rregullt. 9 të tillë u realizuan pas minutës së 90-të.
Mbrojtësit golashënues
29 nga 169 golat e turneut u realizuan nga mbrojtësit. Lojtarët e repartit difensiv nuk kishin shënuar asnjëherë kaq shumë sa në Rusi 2018. Rekordi i edicioneve të mëparshme ishte 16 gola.
Spanja dhe mbajtja e topit
Botërori konfirmoi se kontrolli i topit nuk të garanton domosdoshmërisht fitoren. Shembulli ideal është Spanja. “La Roha” u eliminua nga Rusia pas penalltive, edhe pse gjatë ndeshjes regjistruan numrin rekord të 1,114 pasimeve.
Kroacia eksperte e penalltive
Prej Argjentinës në vitin 1990 asnjë skuadër nuk kishte arritur në finale, pas kualifikimit në dy raunde me 11-metërsha. Këtë e realizoi Kroacia, me heroi Subashiç. Portieri priti tre penallti ndaj Danimarkës dhe një ndaj Rusisë. Pritje që e ngritën në “Olimp”. Subashiç i bashkohet Shumaker dhe Gojkoeçeas, si portierët e vetëm që kanë neutralizuar katër 11-metërsha në finalet e Kupës së Botës.
Mina “përdori” kokën
Mbrojtësi i Barcelonës ishte një prej zbulimeve të Botërorit, falë lojës, por edhe prej tre golave të realizuar me kokë. Askush nuk kishte shënuar kaq shumë me kokë prej Miroslav Kloses në vitin 2002.
Kante kudo i pranishëm
Mesfushori i Çelsit ishte një prej lojtarëve thelbësorë në suksesin e Francës. Kante ishte futbollisti që rikuperoi më tepër topa, 52 të tillë.
“Vallëzimet” e Hazard
Aftësitë teknike të Eden Hazard nuk janë të panjohura. Kapiteni i Belgjikës u largua nga Rusia si lojtari që realizoi më tepër driblime, 40 të tilla, duke u lënë pas vetëm nga Maradona me 53 driblime në vitin 1986, Zhairzinjo (47 në 1970-ën) dhe Mesi (46 në 2014-ën).
Zëvendësimi i katërt
Aktivizimi i Aleksandër Erokhin ka hyrë në historinë e Kupës së Botës. Ai u aktivizua në minutën e 97-të të ndeshjes me Spanjën, duke bërë që Rusia të ishte ekipi i parë që praktikoi rregullin e zëvendësimit të katërt në 30 minutat e kohës shtesë të ndeshjes.
Golat e Totenham dhe PSG
Totenham dhe Paris Seint Zhermen janë dy skuadrat që dominuan përsa i takon golashënuesve në Kupën e Botës, me 12 të tillë. Pas tyre vijnë lojtarët e Barcelonës me 11 gola, Real Madrid 10 dhe Atletiko e Madridit 8.
Lodhja e Kroacisë
Kroacia u paraqit në finalen e Kupës së Botës me 90 minuta të luajtura më tepër se Franca. Skuadra e Daliç luajti tre ndeshje radhazi, ku për të shpallur fituesin u nevojit koha shtesë, madje në dy raste ishin penalltitë ato që vendosën. Vetëm Anglia në Botërorin 1990 e kishte përjetuar diçka të tillë.
Belgjika ekipi më sulmues
“Djajtë e Kuq” e mbyllën Botërorin në Rusi si ekipi që realizuan më tepër gola. Në total Belgjika shënoi 16 gola me 10 lojtarë të ndryshë,. Një statistikë e veçantë, të cilën më parë e kishin realizuar vetëm Franca në Botërorin 1982 dhe Italia në edicionin e vitit 2006.