“Botërori i Klubeve” do të jetë një Botëror ëndrrash, që do të errësojë edhe Kupën e Botës për kombëtaret. Gazzetta dello Sport k zbuluar sot detaje nga kompeticioni që së shpejti do të prezantohet para Këshillit të FIFA-s dhe që synon të ofrojë sfida spektakolare, por edhe të arkëtojë miliarda dollarë, nga të cilat shumica do të shkojnë në arkat e klubeve.
Ideja është që klubet më të fortë të planetit të përballen një herë në 4 vjet. 24 ekipe, 8 grupe, starti në vitin 2021, nga 10 deri në 28 qershor.
Tetë fitueset e grupeve përballen në në fazën me eliminim direkt, 90 minuta dhe më pas direkt penalltitë, në rast barazimi. 18 ditë turne, çdo klub do të luajë nga 2 deri në 5 ndeshje, pra diçka e përballueshme. Nuk dihet ende ku do të luhet, por nuk do të ketë shpërndarje në shumë vende, ndërkohë që Kina është gati të investojë fuqishëm.
Nga 24 klubet pjesëmarrës, mendohet që 12 të jenë nga Europa, 4 ose 5 nga Amerika e JHugut, 2 nga Afrika, 2 nga Azia, 2 nga Amerika e Veriut, një nga vendi organizator, ndoshta një nga Oqeania, por kjo do të luajë një ndeshje play-off me një ekip nga Amerika e Jugut.
Si do të përzgjidhen klubet? Kjo është pika më e nxehtë, por plani është që vetëm në Botërorin 2021 të aplikohen ftesat: do të ftohen klubet më të mëdhenj në Champions League, që kanë fituar të paktën 3 herë Kupën e Kampioneve (Real, Milan, Bajern, Barcelona, Liverpul, Ajaks, Inter, Mançester Junajtid dhe ndoshta edhe Juventusi, ndonëse ka vetëm 2 Champions). Nga Franca do të jetë PSG, ndërsa të tjerët nuk dihen, por Siti, Çelsi, Atletiko, Porto, Benfika e Dortmund janë në garë.
Më pas, nga vitit 2025 e tutje, të sigurta në Botëror 4 kampionet e Europës dhe 4 finalistet e 2021-2025, si dhe ekipet më të mirë në renditjen e UEFA-s.
Një spektakël i rrallë, që do të mbledhë yjet e gjithë botës, ndaj investitorët janë gati të paguajnë deri në 12 miliardë dollarë për 4 edicione. Klubet janë entuziaste, sepse FIFA do të kënaqet me “vetëm” 100 milionë dollarë për edicion, duke ua kaluar klubeve përfitimet e tjera. Me laps e letër, thjesht pjesëmarrja u garanton klubeve 60 milionë dollarë, ndërsa fituesi do të arkëtojë 130-150 milionë dollarë.