Botërori i ardhshëm do të jetë si kurrë në parë, 6 ekipe të kualifikuara dhe do të luhet në 3 kontinente

Kupa e Botës përfundoi pak ditë më parë dhe tani vëmendja ka shkuar te edicioni i radhës, që do të zhvillohet në vitin 2030. Botërori i ardhshëm përkon me 100 vjetorin e krijimit të këtij kompeticioni, që për herë të parë u zhvillua në vitin 1930. Për këtë arsye, FIFA ka menduar diçka të veçantë për organizimin e tij.

Si asnjë herë më parë, Kupa e Botës do të zhvillohet në 3 kontinente: Europë, Amerikë e Jugut, Afrikë. Përpos Spanjës, Portugalisë dhe Marokut, të cilat kanë fituar zyrtarisht të drejtën për të mirëpritur Kampionatin Botëror, listës i janë shtuar së fundmi edhe Argjentina, Uruguaji dhe Paraguaji.

Uruguaji është përzgjedhur për faktin se ishte vendi që organizoi Kupën e Botës 1930, të cilën edhe e fitoi në fund. Arsyeja e përzgjedhjes së Argjentinës është për faktin se bardheblutë ishin finalistë dhe zunë vendin e dytë në Botërorin historik 1930.  Sa përket Paraguajit, në këtë vend gjenden zyrat qendrore të CONMEBOL-it, e cila është njëkohësisht federata kontinentale më e vjetër në glob. Të treja këto shtete do të mirëpresin nga një ndeshje të Kupës së Botës 2030. Kështu gjithsej do të jenë 6 ekipe të kualifikuara automatikisht në Kampionatin Botëror të ardhshëm: Spanja, Portugalia, Maroku, Argjentina, Uruguaji dhe Paraguaji. Ndërkaq, FIFA po shqyrton mundësinë e zgjerimit të mëtejshëm të Kombëtareve pjesëmarrëse nga 48 aktulisht në 64./Sport Ekspres/