Korçarët kanë gati një tjetër lojtar të huaj për sulmin. Duket se ka një akord për afrimin e 26-vjeçarit dhe pritet vetëm firma
Sulmuesi nga Bosnjë Hercegovina, Haris Hanxhiç, aktualisht pjesë e Debrecenit në Hungari, mund të jetë goditja më e madhe e Skënderbeut në merkaton e verës. Habere të reja kanë mbërritur dje për korçarët, të cilët janë në pritje të firmës me sulmuesin 26-vjeçar, jo pak i njohur për bardhekuqtë, pasi ai ka qenë synim i Skënderbeut edhe në merkaton verore të vitit të kaluar. Mësohet se sulmuesi në fjalë e ka pranuar ofertën e Skënderbeut dhe flitet se do të përfitojë deri në 15 mijë euro në muaj, nëse hedh të zezën mbi të bardhë. Ka disa ditë, që Haris Hanxhiç ka biseduar me drejtues të klubit bardhekuq dhe ka pranuar të bashkohet me Skënderbeun, por problemi i vetëm deri tani është se kontrata i përfundon në fund të qershorit, pra pak ditë më vonë. Më 1 korrik është lojtar i lirë. Kjo ka bërë që Hanxhiç t’u kërkojë drejtuesve të ekipit të Debrecenit, të lihet i lirë dhe mbetet vetëm një përgjigje e fundit nga sulmuesi boshnjak, që më pas ai të udhëtojë drejt Sllovenisë, për të qenë nën urdhrat e trajnerit Ilir Daja. Nga ana tjetër, edhe tekniku i korçarëve e ka pëlqyer futbollistin, që i është sugjeruar, duke kërkuar që Hanxhiç të firmosë sa më parë të jetë e mundur.
Gjatë karrierës së tij të pasur, edhe pse është vetëm 26 vjeç, Haris Hanxhiç ka ndërruar 12 ekipe dhe Skënderbeu mund të jetë i 13-i. Korçarët i bind ky futbollist, për shkak edhe të shtatlartësisë që ka, pasi është 1.91 m i gjatë dhe pritet të jetë pyka kyçe e Skënderbeut, duke zëvendësuar Hamdi Salihin. Pritej në fakt që mbrëmë, që Hanxhiç t’u kthente përgjigje korçarëve, por deri në orët e vona nuk ka ndodhur një gjë e tillë. Kjo gjë mund të ndodhë sot dhe klubi korçar është gati më pas ta zyrtarizojë afrimin e radhës. Përveç Hanxhiçit, që pritet ta mbyllë me Skënderbeun, juglindorët janë duke pritur edhe përgjigjen e Tomislav Bushiçit. Nëse edhe ky kthen përgjigje pozitive, atëherë dyshja e sulmit për Skënderbeun do të jetë Hanxhiç-Bushiç.
Skeda e boshnjakut
Emri: Haris Hanxhiç
Datëlindja: 20.06.1990
Vendlindja: Sarajevë, Bosnjë
Pozicioni: Sulmues
Gjatësia: 1.91 m
Pesha: 85 kg
Këmba: E majtë
Karriera:
Sarajevo (Bosnjë), Leh Poznan (Poloni), Velezh, Rudar (Bosnjë), Vaduz (Zvicër), Borac Banja Luka (Bosnjë), Ufa (Rusi), Rijeka (Kroaci), Debreceni (Hungari)