Lajmi më i fundit se Vllaznia ka 1.2 miliard lekë borxhe në Tatime, zbardhet më konkretisht nga Drejtori për median te klubi shkodran i Futbollit, Gjergj Kola. Ai tregoi se borxhi që deklarohet nga tatimet në Shkodër në adresë të FK Vllaznia, nuk është real, sepse sipas tij, ai vjen nga ndërprerjet e kontratave të disa futbollistëve.
“Kontrolli i tatimeve në klub deklaron se ka vrejtur abuzime në kontratat me futbollistë të veçantë gjatë ndërprerjes që ata kanë patur brenda afatit të nënshkrimit të tyre. Por ata nuk kanë treguar ide të qarta në momentin e këtij kontrolli, ndaj edhe drejtuesit e klubit e bashkia nuk i kanë pranuar si të tillë, si abuzime”, kështu deklaroi Gjergj Kola për këtë problem, ndërsa tregoi edhe për reagimin e klubit.
“Duke menduar se idetë e kontrollit nga Tatimet nuk ishin të qarta dhe se kjo shifër e fryrë prej tyre nuk është e bartur nga klubi, Vllaznia ka kërkuar rikontrroll. Ndaj dhe e ka çuar për gjykim në Gjykatën Administrative, sepse e vërteta është krejt ndryshe nga kontrolli”, theksoi më pas drejtori Kola për SportEkspres.com.
Te Vllaznia ka patur problematika sa i përket anës financiare e menaxhimit në klub, të cilat e kanë penguar privatizimin e tij si shpëtimtar të kësaj situate që Vllazninë e zbriti këtë sezon nga Kategoria Superiore në Kategorinë e Parë.
AGRON KAJA