Xhani De Biazi u mundua ta mbante sekret se ishte në kontakte me Poloninë. Sigurisht nuk dëshironte që lajmi të dilte prej tij, por në media u raportua se palët ishin pranë marrëveshjes. Vetë italiani e mohoi, por më pas u zbulua gjithë e vërteta. Për fat të keq ish-trajneri i Shqipërisë mbetet pa ekip, pasi Zbigniev Boniek zgjodhi Jerzi Bërzeçek.
Pas vendimit të kreut të federatës polake, De Biazi u shfaq i zhgënjyer, teksa në “RMC” deklaronte: “Isha praktikisht trajner i Polonisë, pastaj Boniek zgjodhi një trajner polak. U ndjeva sikur më kishin pushuar nga puna. U zhgënjeva, do kisha dashur të më njoftonte ai dhe jo me anë të gazetave”.
Nga Polonia më në fund ka ardhur edhe reagimi i Boniek, i cili mohon që të mos e ketë kontaktuar De Biazin, madje thekson se edhe vetë italiani nuk i ka bërë ato deklarata që janë publikuar në mediet online.
“Xhani De Biazi nuk më ka fajësuar, ashtu si disa gazetarë e kanë paraqitur. Unë fola me të drejtpërdrejtë dhe i thashë që nëse do të zgjidhja një të huaj, ai do të ishte zgjedhja ime e parë. Kur unë zgjodha Jerzi, menjëherë i shkrova një mesazh Xhanit. Askush nuk pati pretendime me njëri-tjetrin. Pak vetë prisnin që Jerzi të ishte trajneri. Ne donim të bënim zgjedhjen e duhur, që do të na garantonte se ekipi do të ishte në duar të sigurta”, ka deklaruar Boniek në “radiopiekary.pl”.