Tre javë të luajtura. Shumë pak për të dhënë verdikte reth ecurisë së kampionatit, por me atë që ekipet e Kategorisë Superiore kanë shfaqur në fushë, mund të krijohet një ide. Flamurtari, Kukësi dhe deri diku Partizani, mund të jenë anti-Skënderbeu. Laçi ka si objektiv minimal Europën, por mund të ëndërrojë edhe për diçka më tepër. Teuta ka punuar seriozisht të evitojë rrezikun e rënies nga kategoria, ndërsa Tirana është shumë larg pretendimeve, ashtu si Luftëtari.
Një tjetër statistikë lidhet me atë që ishte trendi i merkatos së verës. Vetëm 22 gola të realizuar në 15 ndeshje. Shumë pak, po të kujtosh që klubet u përqendruan te lufta e “bomberave”, lojtarëve që garantojnë golin dhe të fitojnë ndeshjet. Nga ëndrra për të rikthyer Ekuban, te transferimi i Rexhinaldos te Kukësi, kalimi i bujshëm i Hebajt te Partizani apo përforcimet e Tiranës me Blazhevskin, Oduamadin dhe Ofori Ofei.
Të gjithë kërkonin sulmues goli. Klubet, të cilat qëndruan disi në hije në betejën e “bomberave” ishin Flamurtari i Ilir Dajë dhe Teuta e Bledi Shkëmbit. Ndryshe nga rryma, ato u përqendruan te porta dhe mbrojtja. Vlonjatët afruan gardianin Koliçi, Albi Allën dhe Kotobellin për repartin difensiv, ndërsa durrsakët siguruan Isli Hidin në portë, Tefik Osmanin dhe Ditmar Bicajn në mbrojtje.
Të dy skuadrat bregdetare krijuan një “bunker” dhe ecuria në tre ndeshjet e para u dha të drejtë. Zero gola të pësuar. Dy ekipet e vetme të Kategorisë Superiore që e kanë mbajtur portën të paprekur dhe mes katër skuadrave që ende nuk e njohin humbjen në këtë sezon, përkrah Skënderbeut dhe Laçit. Deri më tani, Flamurtari dhe Teuta janë mes ekipeve që kanë ecur më mirë, duke respektuar parimin se sulmuesit të fitojnë ndeshjet, por objektivat në kampionat sigurohen nëpërmjet mbrojtjes.