Ndeshja mes Liverpulit dhe Atletiko Madridit duket se ka rezultuar fatale jo vetëm për ekipin e Klop, që i tha lamtumirë rrugëtimit në Champions Leagur, por edhe për 41 tifozë anglezë të pranishëm në shkallët e stadiumit. Sipas një studimi të kryer nga Shërbimi Kombëtar i Shëndetit në Britani, prej atij takimi kanë humbur jetën 41 persona, të cilët u infektuan me Covid-19. Gjithashtu të lidhur mund të jenë edhe shumë viktima të tjerë, të cilët ndoshta janë të afërm që janë infektuar prej të pranishmëve në “Anfield Road“.
Në shkallët e stadiumit atë natë ishin plot 54 mijë tifozë të Liverpulit, ndërsa 3 mijë të tjerë ishin spanjollë që kishin udhëtuar në Angli për të mbështetur skuadrën e tyre. Në atë kohë Spanja numëronte më shumë se 2 mijë raste me Koronavirus dhe kishte ndaluar hyrjen e tifoëve në stadium, por në Champions nuk u pranua ideja e dyerve të mbyllura. Megjithatë më vonë kjo përballje do të quhej si një “bombë biologjike“, ndërsa edhe vetë Klop mësohet t’i ketë thënë Karlo Ançelotit se ishte kriminale që u la të luhej ajo ndeshje./Halit Delibashi-Sport Ekspres/