Boka Juniors, historia e një klubi mit me origjinë italiane!

Pesë djem me origjinë xhenoveze që luajnë me një top kartoni dhe një lagje e varfër e lyer me ngjyrat e ylberit… Një marinar anglez që i dhuron topin e vërtetë… Një anije që ankorohet në port dhe një stadium që të ngjan me “aneksin” mes shtëpisë dhe dhomës së gjumit… Zotërinj, “es el BOCA JUNIORS”

Speciale nga Anton Cicani

Kapelën e ish-komandatit “Che Guerava” në kokë, puron karakteristike e Amerikës Latine në gojë duke e tymosur, një fanellë legjendare me ngjyrat verdheblu të veshur dhe një varëse e trashë me kryqin, teksa qëndron në një nga “parvazet” e famshme të “La Bombonera”…

Nëse ende nuk e keni kuptuar kush është, atëherë në google ndoshta nuk keni kërkuar kurrë me “Maradona Boka Juniors… “.

Rezultate imazhesh për maradona boca juniors

Një dashuri e sinqertë, si në ato filmat bardhezi, ku shpesh të dukej sikur jeta është aq e bukur, saqë ndjenjat janë të pastra dhe me plot emocion. Por, “El Pibe d’Oro” është vetëm ambasadori i një institucioni përtej oqeanit, një zemre që rreh çdo ditë e më fort dhe që mbush më frymë qindra miliona banorë në Argjentinë!  Një mit, një histori, një libër për t’u shkruar. Ose ndoshta, edhe më shumë se një. Mund të keni lexuar “Harry Potter”, apo edhe “Kodin e Da Vinçit”, por për të lexuar historinë e “xeneizes” duhet që të zhyteni në botën verdheblu… Një botë plot pasion, emocione, ndjenja, lavdi, sukses dhe krenari…

Aty ku jeton mes harmonisë

La Boca

Nëse një ditë do të zgjoheshit në “La Boca”, lagjja e famshme e Buenos Airesit, të jeni të sigurt që buzëqeshja do t’iu vijë krejt natyrshëm… Jo sepse jeni në Argjentinë, jo sepse do të shijoni turizmin tuaj, por sepse sapo të dilni nga shtëpia ose hoteli, ngjyrat do të bëhen “ciceroni” juaj përgjatë ditës, mes kërcimit, harmonisë dhe zhurmës popullore, ajo që të lë pa gjumë, por të përcjell energji dhe motivim.

Boca, ose ndryshe “goja”, ajo që shprehet, ajo që flet, ajo që bërtet dhe ajo që lëshon tinguj. Në fund të fundit, një njeri i heshtur edhe pse tërheq vëmendjen, e bën sepse është i heshtur. Por, një njeri që flet dhe të mban me muhabet, është ai që të gjithë duan në tavolinë…

La Boca

Në “Il Caminito”, mëngjesi dhe darka nuk kanë një ndarje, por bashkëjetojnë në një simbiozë perfekte folklori, aq sa turistët e huaj shpenzojnë më shumë para për bateritë e apareteve fotografive se sa për të ngrënë… Nuk jemi në rrugët e modës në Milano, nuk jemi as në “Champs-Élysées” të Parisit, apo në Venecian romantike dhe “shtëpinë” e kinematografisë botërore, Holliwood… Jemi aty, mes njerëzve, aty ku të gjithë nuk kemi turp nëse bëjmë diçka, nuk fshihemi, nuk e vrasim mendjen se si jemi veshur apo se çfarë po bëjmë, por mund të jemi të lirë!

Shtëpi të vjetra të lyera me ngjyrë, a thua se është një pikturë ku autori ka përdorur të gjithë bojërat që zotëron.

Dy lagje në antipode

Risultati immagini per barrio palermo buenos aires

U  zgjata pak si shumë, ju kuptoj! Mund të më shani, por nuk mund të frenoj dot… Sepse, kur flet për Boka Juniors, atëherë mund të flasësh për Buenios Airesin, Argjentinën, rivalitetin historik me River Plejtin, që dikur Maradona do ta krahasonte me një “natë me Xhulia Robertsin”… Dimë aq pak përtej Oqeanit, saqë kujtohemi kur ndodh një tragjedi e madhe, apo kur ndonjëherë, në orën 2 të natës, jemi pa gjumë dhe hapim televizorin për të parë një ndeshje, “Superclásico”, sepse ka diçka super në këtë përballje mes rivalëve të përjetshëm, mes të varfërve dhe pasanikëve, mes një lagje që jeton me ëndrra dhe një tjetre që i ka realizuar ato… Nga “Boca” te “Barrio Palermo”, distanca është pak e madhe, por në fund të fundit, dy stadiume i bashkojnë: “El Monumental” dhe “La Bombonera”…

 

Një ide adoleshentësh xhenovezë

IMG_2378

Shpesh, klubet e futbollit, marrin për shembull klube të tjera historike për të krijuar ngjyrat zyrtare në logo ose fanella, apo edhe thjesht domethënien e tyre. Në lagjen “La Boca” (“Bocca” në italisht, pra hyrja), italianët e viteve ‘800 që emigruan ishin ndër banorët e parë që “eksportuan” harmoninë e tyre dhe traditat…  Komuniteti “xeneizes”, ose ndryshe “xhenovezëve”. Shumica ishin bojaxhi, lyenin varkat e mëdha, teksa me bojërat që mbeteshin, më pas kalonin edhe shtëpi më shtëpi. Sot, në lagjen “Boca” gjen të gjitha ngjyrat që të duhen, një Ylber i prekshëm.

Pikërisht një grup djemsh pati idenë brilante për të themeluar atë që do të bëhej klubi më i titulluar në botë! “Si mund ta quajmë djem?!”, ishte pyetja e parë… Duhej nderuar lagjja dhe zona ku ata jetonin. Ishte shumë e thjeshtë “Buenos Aires FC”, por më e bukur “Boca”. Më pas, duhej diçka për t’u emancipuar, për t’u bërë ndërkombëtarë, për të tërhequr përtej oqeanit. Dhe, duke qenë se topi i parë i vërtetë (jo ato prej lecke), në ato anë, iu dhurua disa djemve nga një marinar anglez, u shtua edhe fjala “Juniors”, pra “rinia”.

Anija që “ngjyrosi” historinë

Risultati immagini per nave svedese

Pas emrit, duheshin ngjyrat… Dhe, imagjinoni sikur atë ditë, në port, të mos kalonte “Drottling Sophia”, “Mbretëresha Sophia”… asgjë nuk do të ndodhte! Jemi në vjeshtën e vitit 1905 dhe pesë djem debatojnë për ngjyrat e asaj që do të jetë Boka Juniors. Njëri prej tyre, Xhovani Huan Briketo, i biri i një familje xhenoveze, që punonte te fari në port, pati idenë brilante: “Shkojmë në port dhe shohim anijen e parë që do të vijë. Ngjyrat e saj do të jenë ngjyrat e Boka Juniorsit”. Në port, qëndronte një anije madhështore e veshur “verdheblu”, flamuri i Suedisë. Diskutimi mori fund. Ato do të ishin ngjyrat e Bokës.

Kanë kaluar më shumë se 100 vjet dhe asnjë skuadër, përtej Oqeanit Atlantik, nuk ka arritur që të japë më shumë emocione se sa Boka. Ndoshta sepse nuk është historia e një klubi normal, ashtu sikurse edhe lagjja nga mori emrin. Presidenti i parë? Një 17-vjeçar i quajtur Esteban Baljeto…

Berberi që vdiq me sekretin e madh

Diskutimet nuk reshtën kurrë sa i përket Boka Juniorsit, sepse ende askush nuk e di se sa përfundoi ndeshja e parë zyrtare, ndaj Mariano Moreno, në qershor të vitit 1905, me në fushë shtatë italianë. Për disa 4-0, për të tjerë 3-1, sidoqoftë, për Bokën. Berberi Silvino, që kishte dyqanin në mes të lagjes, thuhet se depozitoi sekretin. E ruajti deri në vitin 2003. Pastaj, më shumë se 100 vjet më pas, i la të gjithë mes dyshimeve, duke u ndarë nga jeta.

“La Bombonera”, aneksi mes dhomës dhe kuzhinës

Sot, Boca nuk është më një port, pasi është “shkelur” nga Puerto Madeiro, ku movida, ose jeta e natës ndizet pasditeve. Në vitet ’90, lagjja Boca u quajt e papërdorshme dhe anijet që mbetën aty, u përjetësuan… Një lagje e varfër, me probleme sociale dhe me kriminalitet, aq sa në mbrëmje nuk të takon të ecësh vetëm.

Dy pasuri që kanë banorët aty janë ngjyrat verdheblu, një tatuazh në shpirt. Nuk ka nevojë të shkosh në stadium, sepse “Bombonera” është aty, mes shtëpive, si një aneks mes kuzhinës dhe dhomave të gjumit. 70 vjet dhe ende një legjendë, aq sa nuk mund të qëndrosh pa shkuar. E dizenjoi një slloven, Sulçiç quhej. Fusha është e njëjta e shtruar në vitin 1923, teksa më pas pati një ndryshim të vogël, mes grushtit të shtetit dhe “rifuxhos” në atë stadium. Fëmijë, pleq, prindër dhe kushdo tjetër, mund të hyjë aty, duke dalë me kujtimin e një 90 minutëshi që do të jetë “pasaportë” e trurit.

Boka-River, kujdes nga martesat “derbi”

Ashtu si në filmat e mëdhenj, Boka nuk mund të “jetonte” vetëm dhe fati menjëherë i vendosi një rival, që mori jetë në vitin 1901: River Plejt, më në Veri, në lagjen e pasur Barrio Palermo. “Millionarios”, të pasurit. Ngjyra bardhëkuqe, e njëjtë me atë të të rinjve xhenovezë që donin t’i vendosnin Bokës. Sepse, e bardha dhe e kuqja janë ngjyrat e Xhenovas, një inspirim anglez.

Do ju duket pak shaka, por deri në mesin e viteve ‘900, ndaloheshin martesat mes mbështetësve të dy tifozerive. Derbi mes Milanit dhe Interit, mes Romës dhe Lacios, në krahasim me “Superclasico” janë sfida lagjesh…

Rezultate imazhesh për boca river

E mbani mend Andres Guljelminpietron? Ka luajtur me Milanin dhe Interin, në 2004-n u kthye në Argjentinë dhe do të deklaronte: “Nëse besoni se në Itali ka presion, ejani këtu! Tifozë dhe gazetarë të telefonojnë vazhdimisht. Ndryshon numër, e gjejnë tjetrin. Të luash për Bokën është gjëja më elektrizuese që më ka ndodhur në jetë. Në Itali, në krahasim, isha me pushime”.

“Bombonera” është një vend i shenjtë, ku shumë idhuj kanë kaluar dhe shkelur. Dhe, asnjë nuk është harruar. Dikur, Fransisko Varajo, i datëlindjes 1990, shënoi 181 gola në 210 ndeshje. Edhe shumë më vonë, kur Martin Palermo (ky emër është një legjendë në ato anë), gabonte  një gol, nga tribunat bërtisnin “Nëse do të ishte Varajo, do ta dërgonte në rrjetë”.

Risultati immagini per hugo gatti maradona

Hugo Gati… Portieri hindu që kishte luajtur me Riverin, ndaj jo fort i dashur, shkonte në portë dhe i hidhnin çfarë të kishin. Një ditë, madje edhe një fshesë! A e dini se çfarë bëri? E mori dhe nisi të fshijë zonën e rreptësisë, duke u bërë idhull nga ai moment. Gabriel Omar Batistuta, një tjetër që pasi u skartua nga River, shpërtheu në “Bombonera”, për t’u arratisur më pas në Europë. Më të hershmit, sigurisht, Huan Rikelme, Martin Palermo e deri te Karlos Tevez e kështu me radhë… Jo vetëm emra, sigurisht. Mes tyre, një trajner. Karlos Bianki. Keni info në Wikipedia për të, por nga telefoni pak vështirë ta lexoni të gjithën…

Shumë aktorë protagonistë, të tjerë dytësorë, por publiku është skenaristi i vërtetë. I quajnë “12”, sepse janë lojtari i 12-të, prej më shumë se 100 vitesh. Ata që qëndrojnë në sektorin jugor, aty ku kanë shpirtin, zemrën dhe pasionin. Në “Pallatin e Ëndrrave”, ndryshe “La Bombonera”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *