Çështja Mesut Ozil në kombëtaren gjermane ende vazhdon të shkaktojë polemika. Pas “pensionimit” para kohe nga “Pancerat”, ishin Toni Kros, Tomas Myler dhe Manuel Nojer, të cilët folën në lidhje me këtë çështje. Ranë në sy fjalët e Nojer, i cili tha se në kombëtaren gjermane nuk duhen lojtar që nuk kanë krenari për fanellën.
Gjithsesi është mbrojtësi Zherom Boateng, i cili është ndër të parët lojtarë gjerman, i cili del në mbrojtje të turko-gjermanit. Mbrojtësi i Bajern ka deklaruar se Ozil është një ndër lojtarët më të mirë që ka pasur ndonjëherë Gjermania dhe mënyra se si mesfushori u largua nga kombëtarja ishte me të vërtet diçka për të ardhur keq.
“Ku ishin lojtarët që duhet ta falënderonin Mesut? Me sa duket, shumë veta nuk guxonin të komentonin, sepse mendonin se nuk do t’u pëlqente tifozëve gjermanë. Po flasim për një lojtar të madh që u bë kampion bote me ne, i cili fitoi një numër të madh ndeshjes dhe gjithashtu ka ndryshuar futbollin gjerman. Largimi në mënyrën si i ndodhi Ozil, mendoj se është diçka për të ardhur keq”, mbylli fjalët e tij Zherom Boateng.