Blloku “Milan”, kështu Italia është në duar të sigurta!

 

Donaruma, Bonuçi, Romanjoli, Kalabria dhe Konti përfaqësojnë të ardhmen e kombëtares axurre, që ka nevojë për rindërtimin e madh. Dikur ishte Juventusi, sot janë kuqezinjtë ata që i besojnë italianëve

Për momentin kanë ardhur vetëm përgëzimet e Xhixhi di Biaxhios, që vlerëson shumë rendimentin e Bonuçit dhe Romanjolit. Por, për Gatuzon, që është profet i ri i fazës mbrojtëse, ky mund të jetë vetëm fillimi i një historie të bukur, ku ngjyrat kuqezi “përzihen” me ato axurre (të kaltërta). Aq sa për të krijuar  – për momentin në nivel teorik, në të ardhmen kushedi – Italinë nga “kërthiza” e poshtë: portieri dhe linja defensive. Duke e vendosur në linjë reparti: Donaruma, Konti, Bonuçi, Romanjoli dhe Kalabria. Si ju duket? Në pamje të parë duket super dhe nuk është kaq e pamundur që pikërisht ky bllok të bëhet edhe baza e Italisë vitet në vazhdim.

Miks – “Shumë italianë në fushë? Eshtë pjesë e filozofisë tonë që kemi gjetur brenda klubit dhe na pëlqen që të vijohet kështu”, u shpreh Fasone i pyetur mbi këtë mundësi. Në fakt, që në vitet e hershme, te kuqezinjtë, një bllok italianësh ka qenë gjithmonë, edhe kur diferencën e kanë bërë holandezë dhe brazilianë. Edhe kapiten Bonuçi, i pyetur mbi këtë çështje, do të deklaronte: “Shpresoj vërtet që të rinjtë e Milanit mund të jenë pjesë e rëndësishme e rindërtimit të kombëtares”. Dhe atëherë, Xhixho, Andrea, Leo, Alesio dhe Davide. Çfarë bie në sy, për shembull? Mosha mesatare shumë e ulët – nga 19 vjeç Donaruma te 24 Konti , teksa Bonuçi ofron miksin e duhur: një grup djemsh të rinj dhe me talent të drejtuar nga një kapiten që ka fituar mijëra beteja.

Sigurisht, për t’i parë të pestë në fushë do të duhet pak kohë. Nëse për Bonuçin dhe Donarumën, të cilit i janë hapur dyert e portës, pasi Bufon është drejt tërheqjes definitive, vendi është i sigurt në kombëtare, atë duhet ta fitojnë me punë Davide Kalabria, Andrea Konti dhe Alesio Romanjoli, edhe pse ky i fundit është duke jetuar një moment fantastik dhe aktualisht konsiderohet si një ndër mbrojtësit italian më të mirë në Serinë A. Edhe Kalabria, që është shtyrë deri të U-21, por sigurisht që nëse vijon kështu do të vijë dhe momenti i tij.

Ndërkohë, Andrea Konti, që me sezonin e vjetshëm të Atalanta ishte padiskutim mbrojtësi i djathtë te axurrët, thjesht duhet të kapë ritmin, pasi operacioni dhe konvaleshenca disa mujore ka mbaruar. Dhe,në të gjithë këtë analizë, në gjashtë ndeshjet e fundit, Milani nuk ka pësuar asnjë gol: meritë e bllokut italian, nga lideri Bonuçi te e ardhmja Romanjoli, Kalabria dhe portieri Donaruma, në pritje të Kontit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *