Armand Duka, kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit, ka folur në emisionin “Wake Up” në Top Channel dhe sigurisht nuk mund të mos komentohej çështja e trajnerit të kombëtares. E kishte thënë edhe më parë, nuk mund të eksperimentohej. Gjithashtu ka folur edhe për kandidaturën e Bledar Kolës, gjyqin me Erion Braçen, stadiumin e ri, por edhe për përfshirjen
“Pas kompeticionit kam bërë një minianalizë me trajnerin dhe stafin teknik të Federatës, në mënyrë që të ketë rezultate më të mira. Më 2 dhjetor kemi shortin dhe duhet të ndërtojmë gjithçka mirë nga pikëpamja organizative. Por edhe një strategji taktike. Vlerësimi për Panuçin? Në perceptimin tim, nga 1 deri 10, njeriu është i kënaqur vetëm me veten. Kështu që notat maksimale që mund t’i jepet një tjetri, nuk shkojnë më shumë se 6 ose 7. Nuk mund të japë njeri më shumë, thashë vlerësimin që japin njerëzit”.
EKSPERIMENTE ME KOMBËTAREN – “Absolutisht, kombëtarja është gjëja më e shtrenjtë që kemi dhe nuk mund të ketë eksperimente, as nga ana e trajnerit. Të tentosh dhe të guxosh nuk është eksperiment. Guximi për t’i dhënë besim disa emrave na dhënë disa lojtarë. Jam i bindur me atë që kanë dhënë në fushë në pak ndeshje, qoftë Ismajli, qoftë Uzuni, apo Binaku, janë alternativa për të qenë titullarë në kualifikueset e Europianit. Nuk janë pak tre lojtarë në 11. Janë 30% e skuadrës”.
BLEDAR KOLA – “Më vjen keq ta quaj thashethem diçka që shkruan një media. As e kam menduar dhe as e kam kontaktuar Bledar Kolën kohët e fundit. Kam marrëdhënie me të, e kam kontaktuar dikur dhe i kam ofruar një nga ekipet kombëtare. Kjo ka ndodhur shumë vite më parë dhe ai nuk ka qenë i gatshëm për shkak të angazhimeve në Greqi. Gjatë kësaj periudhe nuk e kam menduar. Pas ndeshjeve vendosëm që të vazhdonim me të njëjtin staf. E kam thënë që nuk kemi luksin dhe nuk do të përfitojmë ndonjë gjë nëse bëjmë ndryshime. Në mars do futemi në fushë në një ndeshje zyrtare. Do ishte një eksperiment shumë më i madh”.
PRITSHMËRITË – “Kombëtarja e ka fajin vetë, në kuptimin që e ka vënë stekën shumë lart dhe ne kërkojmë ta kalojë atë stekë. Në momentin që nuk shkohet në Europian, themi se janë të dështuar. Në fakt nuk janë të dështuar. Unë vazhdoj ta them se kombëtarja është gjëja më e mirë që kemi në Shqipëri, pavarësisht se nuk jemi të parët e grupi, por ishim me Skocinë dhe Izraelin. Ndaj Skocisë nuk e ka të lehtë as Gjermania, apo kampionia e botës Franca. Mund të kishim bërë më mirë, ka gjëra për t’u përmirësuar, por prapë them se kombëtarja është gjëja më e mirë që kemi. Nuk e di nëse kemi ndonjë gjë tjetër me të cilën mund të matemi me Skocinë. Me tradita kulturore, po”.
GJYQI ME BRAÇEN – Duka më tej ka folur edhe për gjyqin që ka nisur me Erion Braçen, deputetin e Partisë Socialiste. “Është e vërtetë, nuk e kisha menduar ndonjëherë. Më pyesnin pse nuk i përgjigjesh, por jam shumë i impenjuar me punë dhe nuk kam kohë të merrem me njerëz që nuk kanë çfarë të bëjnë tjetër veçse të flasin. Vendosa të angazhoj njerëzit e duhur për ta ndjekur në mënyrë ligjore këtë çështje. Nuk e di sa kanë kërkuar juristët dëmshpërblim. Njerëzit duhet të jenë etikë ndaj atyre që kritikojnë. Nuk e kisha menduar këtë padinë, por dëgjova kryeministrin për këtë punën e shpifjeve dhe thashë ta provoj. I kam dëgjuar këto shprehet e fundit të kryeministrit. Ai thotë ‘qentë le të lehin, karvani shkon përpara’, kurse unë them “konet le të lehin, karvani shkon përpara”, deklaroi Duka.
APELIMI I FINOS NË CAS – “Gjykata i ka njohur të gjitha vendimet e Asamblesë. Gjithsesi në çdo rast unë i zbatoj vendimet e marra”.
STADIUMI I RI – “Objektivi ynë ishte të përfundonte në mars. Kemi shumë pengesa dhe e kemi shprehur edhe publikisht, edhe pengesa financiare. Është mëngjes dhe nuk është e përshtatshme të flasësh për ‘TVSH’-ra. Në buxhetet tona dhe të partnerëve ishte parashikuar që TVSH-ja duhet të rimbursohej, por papritmas nga Ministria e Financave, nga një komision me një përbërje të çuditshme, mjafton të shikosh emrat për të kuptuar pse nuk është rimbursuar. Por që të pengohet një projekt kaq madhor, për cinizma apo interesa të anëtarëve të komisionit, është shumë e padrejtë. Ëshët abuzive. Komisioni ka lidhje me shijet personale, por nuk ka lidhej nëse do apo nuk do Dukën. Stadiumi duhet të përfundojë, është një vepër që do të qëndrojë. Uroj në një reflektim të Ministrisë së Financave, me qëllim që stadiumi të përfundojë brenda vitit 2019. Qeveria ka paguar “0 lekë” për atë stadium dhe nuk mund të na e mohojë të drejtën e rimbursimit të TVSH-së apo ta pengojë ndërtimin”.
KOSOVA – “Është e vështirë të bësh krahasime. Kosova është për t’u përgëzuar, pasi në kompeticionin e dytë zyrtar u paraqit mirë dhe zuri vendin e parë në grup, pavarësisht se në një kategori inferiore. Por është për t’u përgëzuar. Të krahasosh është e vështirë, nëse doni t’i krahasoni në renditje, mund të shikohet ajo e FIFA-s. E vështirë të ketë derbi. Nuk e imagjinoj dot përballjen tonë zyrtare me Kosovën, por ekzistojnë mundësitë. Jemi në vazon e katërt, ata në të pestën”.
KANDIDIMI PËR BASHKINË E DURRËSIT – “Nuk e kam menduar të përfshihem në politikë. E kam thënë dhe do e them, kurrë mos thuaj kurrë. Në kohë të ndryshme njeriu merr vendime të ndryshme. Nuk kam ndonjë plan, më pëlqen kjo që bëj, më pëlqejnë sfidat e futbollit, më pëlqen të realizoj ato projekte që ne kemi: kompleksi i ri “shtëpia e futbollit” dhe stadiumi”.