Binaku optimist, Vrioni: Reflektova dhe zgjodha Shqipërinë, më pëlqen… Balaj

Shqipëria po përgatitet për ndeshjen miqësore kundër Jordanisë (10 tetor) dhe atë kundër Izraelit për Nations League (14 tetor). Egzon Binaku dhe Xhakomo Vrioni ishin pjesë e konferencës për shtyp të kombëtares, ku folën për ndeshjet e radhës dhe objektivat e tyre me kombëtaren kuqezi.

Egzon Binaku debutoi në fitoren me Izraelin ku zhvilloi një ndeshje të mirë. Më pas humbja në transfertë përballë Skocisë, ndërsa 23-vjeçari i Malmos është gati për të luajtur dhe qëllimi i vetëm është fitorja përballë Izraelit në transfertë.

Izraeli – “Duhet të fitojmë ndeshjen me Izraelin. Ne shkojmë atje për të fituar ndeshjen dhe ky është qëllimi ynë.”

Momenti jo i mirë me Malmon – “Futbolli kështu është, herë luan, herë jo.”

Çfarë iu kërkon trajneri në stërvitje? – “Klima në ekip është e mirë, kemi lojtarë të mirë. Stërvitjen nuk e kemi nisur akoma.”

Lojë e mirë me Izraelin, gabime difensive në Skoci. Pse ndryshon skuadra? – “Me Skocinë nuk luajtëm mirë dhe humbëm, por tani e dimë se si luajnë ata dhe çfarë duhet të bëjmë që të fitojmë kundër tyre.”

Nations League apo eleminatoret? – “Duhet të jemi më lart dhe të jemi më mirë.”

Mendon të përsërisësh ndeshjen e mirë me Izraelin? – “Duhet të jem mirë në aspektin psikologjik që të luaj një tjetër ndeshje të mirë.”

Për herë të parë do të jetë pjesë e kombëtares dhe sulmuesi Xhakomo Vrioni. Sulmuesi 19-vjeçar është pjesë e Sampdorias, por ka kaluar në huazim te Venecia në Serie B. Vrioni ka luajtur me ekipet U18 dhe U19 të Italisë, ndërsa zhvilloi një ndeshje pozitive me U21 të Shqipërisë, pikërisht kundër moshatarëve italianë.

Panuçi vendosi ta grumbullojë për ndeshjet e radhës, ndërsa sulmuesi shpreh lumturinë e tij për këtë ftesë. Ai është gati për të dhënë maksimumin për kombëtaren e madhe.

Dhuratë thirrja e Panuçit? – “Nuk e prisja thirrjen, sepse bëra vetëm 1 ndeshje me U21, por jam i lumtur dhe do të jap maksimumin këtu. Kisha besim, sepse kam bërë shumë ndeshje me Italinë. Vitin e kaluar nuk më thirrën më dhe bëra një reflektim me prindërit e mi. Në fund vendosëm së bashku dhe zgjodha Shqipërinë.”

Si është impakti i parë, të ka kontaktuar vetë Panuçi? – “Gjithçka ndodhi në mënyrë zyrtare, më dhanë lajmin me tel dhe e prita shumë mirë.”

Nga U21 të kombëtarja A. Do e kesh më të lehtë sepse mungojnë sulmuesit kryesorë? – “Nuk është asnjëherë e thjeshte. Këtu ka sulmues të fortë, të cilët kanë vite që luajnë më Shqipërinë. Trajneri bën zgjidhjet e veta, por do e vë në dyshim deri në fund atë.”

Ke objektiv apo kënaqesh me grumbullimin? – “Objektivi im është të luaj sa më shumë dhe të bëj gol.”

Prurje të reja në ekip, mund të përsërisni suksesin e para dy viteve në Europian? – “Mund ta bëjmë të gjithë, jo vetëm unë dhe Binaku, por të gjithë lojtarët. Do bëjmë maksimumin deri në fund që të kualifikohemi në Europian.”

Si e sheh kombëtaren nga jashtë? – “E shoh shumë mirë dhe është hera e parë që vi këtu. Si tifoz e kam parë mirë. Ekipi zhvilloi një ndeshje të bukur me Izraelin dhe fituam. Skocia ishte e forte, luajtëm në transfertë dhe nuk ishte e thjeshtë.”

Izraeli në transfertë, si e shihni? – “E vështirë si gjithë sfidat e tjera. Shpresojmë të fitojmë dhe të marrim tre pikët.”

Shpreson që të marrësh minuta që në ndeshjen e parë? – “Shpresoj dhe ishalla! Kam vullnet shume për të luajtur dhe shpresoj të luaj.”

Kush ju inspiron nga lojtarët e kombëtares? – “Sadiku më pëlqente shumë si sulmues, ndërsa tashmë më pëlqen shumë Balaj.”

Ëndrra juaj – “Shpresoj të arrij sa më larg. Interi është klubi im i preferuar dhe ëndërroj të luaj me këtë ekip.”

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *