Eklent Kaçi po shkruan me gërma të arta historinë e sportit shqiptar të Bilardos. I riu kurbinas mori pjesë në Botërorin e Bilardos në Disiplinën me nëntë gurë dhe paraqitja e tij ka qenë mbresëlënëse. Kaçi ka tifozë në mbarë Botën dhe shumë janë “ngulitur” duke ndjekur paraqitjet e tij dhe kanë festuar jo pak fitore, plot gjashtë, deri kur bilardisti shqiptar u ndal në gjysmëfinale.
Ishte vetëm një ndeshje larg për të luftuar për titullin Botëror, por është shumë i ri, në janar bën 19 vjeç. Kaçi kaloi pa probleme deri në gjysmëfinale, madje mposhti spanjollin David Alkaide 11-4 (deri para një muaji ishte numri një në renditjen e përgjithshme të Eurotureve). Kaçi tentoi finalen, por filipinasi Roland Garcia zhvilloi një ndeshje shumë të mirë dhe në fund triumfoi 11-6. Vendi i tretë në botë për bilardistin shqiptar, një rekord për bilardon shqiptare dhe padyshim një arritje e rëndësishme për Kaçin, që synim ka të bëhet numri një në botë. Deri më tani është në rrugë të mbarë…