Vlonjatët mbyllin sot ditët maqedonase të fazës përgatitore, ndërkohë që mbrojtësi lezhjan flet për Flamurtarin e ri, objektivat dhe gjithçka tjetër
Elton Nika
Afrimi i parë i merkatos verore për vlonjatët mbante emrin e Ditmar Bicaj. Pas aktivizimit një sezon më parë te Vllaznia, por i aktivizuar më parë në disa skuadra të Superiores dhe jashtë kufijve te vendit, afrimi i qendërmbrojtësi
–Ditmar, faza përgatitore në Mavrovë tashmë po shkon drejt fundit. Si ju kanë shkuar përgatitjet?
Periudha që kemi kryer dy javë në Mavrovë, më duhet ta pranoj se ka shkuar mjaft mirë. Kemi marrë ngarkesën maksimale gjatë kësaj periudhe dhe me mjaft rëndësi mbetet që grupi është i plotësuar, ndërsa duhet vlerësuar fakti që kemi punuar me grup të plotë, pasi nuk kemi pasur dëmtime.
–Ç’mund të na thoni për dy miqësoret e zhvilluara deri më tani?
Është një periudhë me ngarkesa të larta në stërvitje dhe normalisht në ndeshjet miqësore nuk kemi shprehur ndoshta maksimumin tonë. Gjithsesi, kanë qenë dy ndeshje miqësore ku skuadra ka prodhuar futboll. Megjithatë, duhet të jemi realistë, pasi është vetëm fillimi dhe repartet duan kohën e duhur për t’u lidhur si duhet. Besoj se shumë shpejt gjithçka do të jetë ashtu si duhet.
–Të hënën edhe një tjetër ndeshje miqësore…
Po, luajmë miqësoren e fundit para kthimit në Vlorë. Sigurisht që do të kërkojmë maksimumin nga kjo ndeshje. Jo vetëm për të prodhuar futboll, por edhe pse jo edhe rezultat, pavarësisht se kjo është e fundit që shihet në këtë periudhë.
–Nga Mavrova në Veria. Sa e rëndësishme do të jetë kjo periudhe 2-javorë në Greqi?
Ajo mendoj se do të jetë periudha më e rëndësishme për skuadrën. Pas fazës përgatitore në Veria, ekipi do të jetë padyshim në 100% të gjendjes dhe pastaj do të niset të mendohet për kampionatin dhe ndeshjen e parë që luajmë në transfertë ndaj Skënderbeut. Deri atëherë ka ende mjaft kohë.
–Flamurtari është një grup me lojtarë të rinj. Si është fryma në skuadër?
Gjithçka është shumë pozitive. Pavarësisht faktit se ka pasur mjaft ndryshime, ka shumë harmoni, por edhe disiplinë në grup. Lojtarët janë të gjithë profesionistë dhe qëllimi mban një emër, atë të Flamurtarit. Por siç e thashë më lart, duhet pak kohë për konsolidimin e skuadrës dhe drejt asaj po shkohet. E rëndësishme mbetet që brenda në skuadër gjithçka është pozitive. Çunat janë të gjithë të gatshëm të japin gjithmonë më të mirën në stërvitje, por edhe jashtë saj gjithçka shkon mjaft mirë.
-Çfarë Flamurtari duhet të presim këtë sezon?
Ndoshta është ende shpejt, por Flamurtari do të ketë frymë tjetër këtë sezon. Kjo skuadër do të jetë një “kockë” e fortë në fushën e blertë që nga ndeshja e parë. Jemi të bindur se është një grup mjaft cilësor, por këtë duhet ta tregojmë në fushën e lojës do ta bëjmë sapo të startojë sezoni. Emri i Flamurtarit duhet të jetë gjithmonë pretendent dhe konkurrues, si në kampionat ashtu edhe në Kupë.