Serbi do të jetë “pykë” në ofensivë, por priten edhe dy lojtarë mjaft cilësorë
Bernard Gjikolaj
Besëlidhja e ka nisur merkaton e janarit, pasi që nga data 1 i është bashkuar në stërvitje skuadrës sulmuesi serb Kosta Bajiç, ku në janar do të nënshkruajë kontratën zyrtare dhe do të jetë në dispozicion të Gledis Lanit për gjysmën e dytë të sezonit në vijim. Kosta Bajiç është larguar nga Besëlidhja fund sezonin e shkuar, pas dy sezonesh e gjysmë si titullarë në sulm. Gjatë qëndrimit të tij tek Besëlidhja ka shënuar 34 gola gjithsej, ku 25 i ka shënuar në sezonin 2015-2016, por nuk u shpall goleadori i Kategorisë së Parë për arsye se në ndeshjen e fundit të sezonit ndaj Mamurrasit shënoj plot 5 gola dhe nga Federata u quajt trukim. Për rrjedhojë, atë fund sezoni nuk e mori askush “Këpucën e artë” që i takonte Kosta Bajiçit.
KARRIERA – Fazën e parë të këtij sezoni e ka mbyllur në Kazakistan tek skuadra FC Kyzylzhar që luan në kategorinë e Parë, apo nivelin e Besëlidhjes. Për arsye se në Kazakistan mbyllet herët faza e parë për shkak të dimrit të ashpër dhe faza e dytë nis në prill, Bajiçi për arsye të pushimit të gjatë dimëror, ka preferuar më mirë të rikthehet tek Besëlidhja për të vijuar karrierën. Para se të shkonte në Kazakistan, sulmuesi Kosta Bajiç fillimisht është provuar në Finland tek FF Jaro që luan në Kategorinë e Parë ashtu si Besëlidhja këtu, por nuk është dakordësuar me presidentin dhe për rrjedhojë nuk ka preferuar të luajë atje dhe ka pranuar ofertën e kazakëve të FC Kyzylzhar, ku ka mbyllur gjysmën e parë të sezonit. Ndërkohë, skuadra lezhjanë do të jetë në merkato edhe për dy lojtarë anësore, me tipare ofensive dhe bëhet e ditur se edhe me ta janë drejtuesit e klubit që kanë nisur me kohë negociatat.