Veçmas kontigjentit të futbollistëve kavajas që mbylli sezonin e fundit, ka edhe një plan “B”, për të negociuar e bërë të pamundur afrimin e disa futbollistëve të tjerë
Fatmir Efica
Shumë kuriozitete e mbase edhe surpriza. Starti i stërvitjeve të Besës për sezonin e ri 2017-18 do të bëhet pikërisht sot në orën 17:30 në stadiumin “Besa”, për të vijuar ditët e tjera në aneksin stërvitor me bar sintetik. Të gjithë futbollistët kavajas që mbyllën sezonin e kaluar, si dhe disa lojtarë të rinj nga skuadra U-19 të afruar që pasi mbaroi sezoni, do të jenë sot prezentë dhe të rreshtuar para trajnerit Bledar Sinella. Ky i fundit ka pasur disa gjëra “merak” para mbërritjes te kjo ditë. FINANCAT – Ndër kërkesat më kryesore të trajneri Bledar Sinella, konsiderohen prej tij suporti e garancia financiare të ekipit për sezonin e ri. Disa përforcime të domosdoshme e të rëndësishme që duhen bërë, duke pasur për këtë madje dhe një plan “B”. Por edhe për zhvillimin e një faze përgatitore speciale që i ka munguar ekipit gjatë viteve të fundit për vetë problematikën e problemeve të mbartura dhe shpresohet se tashmë të quhen të “hedhura pas krahëve”.
SKUADRA – Opinioni fillestar nga të gjithë ata që janë sot pjesë e Besës qoftë nga afër apo dhe ata që po i “vëzhgojnë” më në distancë zhvillimet e pritshme që pritet të ndodhin, thuhet se grupi aktual e ka “staturën” për të hyrë në sezonin e ri me një përgatitje serioze. Për të dëshmuar konkretisht se me ato cilësi që kanë shfaqur edhe më parë janë në gjendje për t’i bërë ballë si duhet garës. Skuadra duhet pranuar se ka aktualisht një ndërthurje të mirë të moshave e përvojave. Madje është e mbushur me një kontigjent futbollistësh të rinj 17-20-vjeçar me të dhëna shumë premtuese. Lojtarë të cilët pritet që në këtë sezon të ri kenë më shumë shanse aktivizimi.
STAFI – Paralelisht me gjithçka mund të përfshijnë lëvizjet e ndryshme në skuadër, merr një rëndësi parësore edhe kompletimi i radhëve të stafit teknik. Përzgjedhja mes shumë kandidatëve është e tillë që do të përmbushë aktivizimin e specialistëve të rinj të përkushtuar që edhe në Kavajë tashmë nuk mungojnë. Ata që janë të pajisur edhe me licencimet përkatëse në kurset e ndryshme të viteve të fundit organizuar nga FSHF-ja. Stafi i ri teknik mendohet se do të jetë në gjendje të vërë shpejt pikat mbi “i” dhe harmonizojë interesat për një punë shembullore në këtë fazë të parë të punës deri në prag të startit të kampionatit.
PLANI “B” – Ende janë pa ekip, disa lojtarë të mirë e shumë të mirë për nga vitet e karrierës si dhe performanca që kanë shprehur qoftë kur kanë luajtur për Besën, ashtu dhe në ekipet e tjera. Janë jo pak por një grup lojtarësh kavajas, me të cilët mundet ndoshta të ketë një raund negociatash gjatë ditëve në vazhdim. “Sport Ekspres” i ka bërë edhe më parë publikë emrat e tyre, por e përsërit se në planin “B” aktualisht janë emra si Erand Hoxha, Meglid Mihani, Ervis Kaja, Alked Çelhaka, Mirel Duka, etj.