Besa shton radhët, “Xhati” ka gati goditjet

Sulmuesi 21-vjeçar shkodran Dejvi Cangu nga Korabi dhe sulmuesi kavajas i U-19 Emiljano Masha vihen nën urdhrat e Poçit

Fatmir Efica

Artion Poçi, trajneri i ri i Besës, tashmë i ka “përveshur” mirë mëngët. “Jam si në shtëpinë time në drejtimin e Besës, – u shpreh dje me xhentilesën që e karakterizon Artion Poçi. “Ambienti këtu është fantastik. Nuk ka presion. Jemi duke i ndryshuar ritmin tashmë punës sonë përgatitore, pasi kampionati po afron dhe na duhet të “kolaudohemi” sa mirë që të jetë e mundur. Kontigjenti që është natyrisht e ka të qartë se këto ditë të mbetura deri në startin e kampionatit duhen shfrytëzuar në maksimum. Por edhe pjesa e lojtarëve që priten të vijnë si përforcime, do të ketë pa diskutim të njëjtin sens e ndjenjë përgjegjësie”, – tha trajneri kavajas.

PRESIDENTI – Dje, Nexhat Bizhdili ka ardhur në stërvitje vetëm pak minuta para se të niste seanca e pasdites. Ajo “reformë” e paparë në seleksionimin e lojtarëve kryer dy ditë më parë, ndoshta ka qenë shqetësimi i tij, teksa kur ka parë skuadrën me një grup prej 26 lojtarësh, nuk ka hyrë fare në ambientet e fushës stërvitore. Madje, as nuk ka zbritur nga makina e tij por e ka vëzhguar stërvitjen në minutat e para të saj duke qëndruar në distancë pa takuar asnjë nga drejtuesit apo futbollistët. Megjithatë, preokupomi për Besën e re edhe vetë “Xhatin” nuk e lë më rehat…!

RIKTHIMET – Dje, është rikthyer në postin e zëvendës-trajnerit Gentian Kaja, kavajasi energjik që ishte në krah të Bledar Sinellës, përpara se ky i fundit për arsye personale kërkoi të mos ishte më në pankinë, por të jetë tashmë në pritje të një detyre të re në organikën e drejtimit të Besës. Kaja ka qenë edhe në periudha të tjera të mëparshme dhe njihet si njeri me temperament dhe kërkues. Është rikthyer dje qendërsulmuesi Emiljano Masha që ka qenë pranë familjarëve të tij në Itali. Lojtari që sezonin e fundit ka qenë e skuadrës U-19 të Besës  dhe realizuar madje 9 gola, është stërvitur nga janari 2017 me ekipin e të rriturve, ku edhe ka luajtur.

MERKATO – Numrit të lojtarëve jabanxhinj që janë aktualisht te Besa i është shtuar dje edhe sulmuesi Dejvi Cangu. Shkodrani që sezonin e fundit e mbylli te Korabi në Superiore, duke luajtur 3 ndeshje të plota e dy si zëvendësues, të gjitha gjatë fazës së katërt u stërvit dje te ekipi kavajas. Tani krahas dy portierëve  Arjol Kaloshi e Marat Rexhepaj bien në sy edhe Xhuljo Turhani, Xhefri Bushi, Enea Isufi, Aldo Dervishi, Elis Doksani, Diego Zhuga e Elidon Mara. Tani numri i jabanxhinjve ka shkuar në dhjetë, ndërsa trajneri Poçi ka kërkuar disa përforcime me lojtarë që kanë përvojë që priten ndoshta të bëhen pjesë e Besës nga java e ardhshme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *