Besa pa dy titullarë, Magani: Egnatia e fortë, por kemi vetëm një objektiv

Të dielën nisin ndeshjet e fazës së tretë të Kategorisë së Parë dhe Besa e renditur në vendin e dytë në Grupin B është në luftë të hapur me Bylisin për vendin e parë. Kavajasit tashmë janë vetëm 3 pikë larg ballshiotëve.

Trajneri i kavajasve, Gugash Magani, kërkon që skuadra e tij të mos përsëritë gabimet e bëra gjatë fazës së dytë, ndërkohë që sipas tij faza e tretë do jetë shumë e fortë. Për SportEkspres.com, tekniku peqinas deklaron se Besën e pret një takim i vështirë me rrogozhinasit.

“Egnatia ka qenë ekipi që na ka vënë në vështirësi, sepse ka një grup që mund të synonte Superioren. Ndaj e kemi vlerësuar si një përballje mjaft të vështirë, në të cilën ne mendojmë vetëm fitoren”, shprehet Magani fillimisht.

Besa e tij nuk do të ketë të gatshëm dy titullarë të rëndësishëm për sfidën e së shtunës. Gjithsesi trajneri peqinas mendon se verdhezinjtë i kanë elementët për t’i zëvendësuar me sukses sulmuesit Onuh dhe Çekiçi.

“Onuh dhe Çekiçi janë dy mungesa serioze për ne, por kjo është ritmika e kampionatit dhe ne jemi të detyruar që të përdorim çdo alternativë tjetër për të arritur synimin tonë. Besa ka kapacitete që t’i zëvendësojë të dy këta titullarë. Të dielën, të gjithë ata që do të veshin fanelën e Besës në takimin me Egnatian, do të luajnë me synimin e vetëm për fitore. Formula e fazës së tretë na motivon dhe na e shton besimin për kreun e grupit tonë”, përfundoi Magani.

AGRON KAJA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *