Besa e “bombarduar” me miqësore, Bizhdili e shtrin merkaton në Holandë

Në 17 ditë përgatitje gjatë muajit janar, skuadra e Besës së Kavajës ka luajtur 9 ndeshje miqësore dhe veç kolaudimit të skuadrës dhe rezultateve që janë arritur, këtë situatë e quan pozitive numri një i klubit kavajas, Nexhat Bizhdili. Për SportEkspres.com ai deklaron se humbja e djeshme me Trepça ’89 nuk është realiteti, pasi sipas tij, skuadra po tregon rritje në nivel dhe seriozitet në përgatitje.

“Mendoj se kemi një skuadër dinjitoze, të aftë për tu ngjitur në Superiore. Humbja e djeshme me Trepça ’89 nuk tregon dobësi, përkundrazi, sepse ajo u shënua në pjesën e dytë kur u bënë shumë zëvendësime. Por ka edhe një fakt që ndikon te skuadra, ngarkesa që është krijuar në 17 ditë përgatitje dhe me 9 ndeshje miqësore, të cilat kanë krijuar edhe lodhje tek futbollistët”, kështu theksoi Presidenti i Besës, duke e lënë më pas të hapur merkaton te skuadra e tij.

“Kam një plan në merkato, sepse mendoj që reparti i sulmit e kërkon një përforcim të ri. Synimet tona janë për ngjitje në Kategorinë Superiore dhe këtë kemi shpresë se do ta arrijmë. Gjatë kësaj jave një futbollist nga Kosova që luan në Holandë në Divizionin 2 na është sugjeruar për ta sjellë në Kavajë. Besoj se në fillimin e javës së ardhshme do ta kemi një akord me të, kjo do të varet sa ai do ta bindë stafin teknik”.

Besa ka qenë aktive në merkaton e janarit ku ka afruar Gugash Maganin në pankinë, si dhe futbollistët Efijong Ejo, Sokol Mziu, Ervis Çaço, Sadush Danaj, Xhefri Çinedu Çarls e Senad Hysenaj. Skuadra kavajase renditet në vendin e 2-të në Grupin B të Kategorisë së parë, 5 pikë larg Bylisit kryesues në këtë grup, ndërkohë që takimin e javës së 15-të e luan në transfertë me Elbasanin.

AGRON KAJA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *