Vetëm 10 ditë më parë, mallakastriotët mundën Besën 1-0. Por ditët e fundit kavajasit kanë ndryshuar shumë…
Fatmir Efica
Sërish përballë njëra-tjetrës. Besa e Bylisi janë dy skuadra mike. Kanë pasur e kanë marrëdhënie mjaft të mira më njëra – tjetrën në disa aspekte sportive dhe jo vetëm. Bylisi, më 26 gusht pati fituar miqësoren ndaj Besës në Kavajë 1-0, me golin e Gëzim Hyskës në 12’ realizuar plot mjeshtri me kokë nga talenti ballshiot. Por edhe ndaj Teutës më 31 gusht, Bylisi pranoi ftesën të luante në Kavajë. Pavarësisht humbjes 1-3 ndaj durrsakëve, ballshiotët vijuan paraqitjen e tyre interesante. Sot, në orën 16:30 sfida, apo miqësorja e radhës mund të mos ketë fytyrën e asaj që ka ikur. Të paktën kështu shpresojnë në kampin verdhezi të Besës ku gjatë ditëve të fundit ka pasur zhvillime vërtetë intensive në lidhje me largim afrimet e futbollistëve. Por në një farë mënyrë klima e përmirësimeve të modulit të lojës dha një sinjal të qartë në edicionin e parë të kupës “Paskuçi” zhvilluar mbrëmjen e 3 shtatorit në “Niko Dovana”. Besa jo thjesht pse zuri vendin e dytë, por prej paraqitjes interesante jo të një, por të dy formacioneve me futbollistë që dëshmuan ambicie e pasion. Madje, mundet që në këtë takim, në vigjilje të dy ndeshjeve zyrtare për kupën e Shqipërisë, me Tiranën më 13 shtator dhe ndaj Dinamos po në Kavajë për startin e kampionatit më 16 shtator, ta konsiderojë këtë miqësore ndaj mallakastriotëve si “provë gjenerale”
FORMACIONI – Ardhja së fundmi e Mirel Dukës, aktivizimi i qendërmbrojtësit shtatlartë Erand Hoxha dhe në mesfushë i kapitenit Meglid Mihani, një lojtar që falë përvojës di të “qëndisë” mirë e bukur manovrën e lojës së kavajasve, formacioni i sotëm i Besës ndaj Bylisit duket se do të ketë si pika referimi emrat e mësipërm. Pa nënvleftësuar kurrsesi “peshën” dhe aftësinë e futbollistëve të tjerë. Nga ish-kapiteni Skerdian Perja, portieri Ariol Kaloshi që tre ditë më parë u shqua në dy ndeshjet me Trepçe ’89, ku priti 3 penallti, duket se po i japin tjetër “fytyrë” Besës në prag të sezonit të ri.