Fatmir Efica
Të tria ndeshjet e para të këtij sezoni janë me të njëjtin përfundim 2-0. Në stadiumin e vet, Besa siç iu gëzua fitores ndaj Dinamos në start edhe dje ka bërë të njëjtin ritual ndaj Tërbunit. Ndërsa, ndeshja e javës së dytë në Lezhë u humb 0-2. Për të vijuar me sfidën e djeshme, një fitore bindëse, 2-0 ndaj pukjanëve rivalë…
NDESHJA – Ka ndodhur thuajse si ndaj Dinamos, ku me nga një gol në secilën pjesë, Besa “hipotekon” pa shumë stres fitoren e saj të dytë shtëpiake duke kënaqur edhe sportdashësit e saj që tanimë e kanë rritur ndjeshëm interesimin e mbështetjen e tyre për ekipin. Tërbuni më shumë është përkujdesur në 45’ e para për të pasur një prapavijë, ku është dalluar në mënyrë të veçantë Flavio Prendi. Miqtë me përforcimet në mbrojtje kërkuan të evitojnë sa më tepër rrezikun te zona e tyre. Por kanë kundërsulmuar vetëm një herë rrezikshëm në 43’ kur Brunild Hasaj vetëm për vetëm me portën e Besës, në vend që të gjuajë harkon topin paralel me vijën e portës, atje ku askush nga shokët e tij nuk ishte në ndjekje të këtij aksioni.
PJESA E DYTË – Fraksioni i dytë i lojës, veçanërisht pasi Besa shënon golin e dytë, dominohet nga kavajasit. Veçmas një rasti me kokë nga Er. Hoxha e një goli të anuluar që shënoi po ky lojtar (81’), një shtyllë nga Ed. Hoxha në 87’dhe mundësive ideale që patën edhe E. Kaloshi e Cara për të thelluar rezultatin e çuar ekipin e Besës te një fitore më e pastër. Miqtë nga Puka që mbetën me 10 lojtarë në 17’ e fundit e patën të vështirë ta përballonin trysninë e lojës me theks sulmues dhe epërsinë që krijoi Besa. Starti në tre javë për Besën duket pozitiv me 6 pikë të fituara në “folenë” e saj, kurse Tërbuni ndonëse ende nuk ka shijuar fitoren e parë për këtë sezon, sipas trajnerit mik Kreshnik Krepi do të jetë një skuadër që do të sigurojë pesëshen e parë e nuk do të luajë për mbijetesë…
Pas ndeshjes…
Bledar Sinella, trajneri i Besës: “Shënuam dhe e hapën ndeshjen shpejt në favorin tonë, por në pjesën e parë nuk kemi qenë aq bindës në stilin karakteristik të veprimeve tona. Goli i dytë dhe më pas deri në fund të ndeshjes është rritur ndjeshëm dominimi ynë dhe mund të kishim fituar më thellë. Përse nuk luajti Morina?!…. Ka pasur probleme shëndetësore, madje nuk ishte i grumbulluar as në 18-she”.
Kreshnik Krepi, trajneri i Tërbunit: “Mendoj se ka qenë një lojë e barabartë. Jemi ndëshkuar në momentin që portieri nuk e llogariti topin e përplasur në shtyllën e tij pingule. Patëm më pak shanse se Besa por lojtarët tanë nuk ishin të qetë para portës. E pranoj se disa lojtarë ende nuk i kemi në formën e tyre optimale dhe kam besim se ata do të përmirësohen dhe Tërbuni do ti kthehet rezultateve pozitive. Ndonëse humbëm, mendoj se nuk kishte shumë diferenca sot (dje) në fushë. Ndërprerja për dy javë e kampionatit në këtë moment ne nuk më duket se mund të na ndihmojë shumë. Ky Tërbun do të jetë në pesë vendet e para”.
BESA – TËRBUNI 2-0
Shënues: Biba 17’, E. Kaloshi 77’
BESA: A. Kaloshi, Perja, Er. Hoxha, Brahimaj, Kaja, Biba (26’ Cara), Duka, Mihani, Shabani (84’ Oshafi), Dervishi (62’ Ed. Hoxha), E. Kaloshi. Trajner: B. Sinella. (Në dispozicion: Rexhepaj, Kullolli, Ngjela).
TERBUNI: Rexhepi, Balaj, Beci, Prendi, Shytani (73’ Blinishta), Hasaj, Pepa, Saliaj, Shaba, Nimani (63’ Taku), S. Hoxhaj (42’ Mezini). Trajner: K. Krepi. (Në dispozicion: Mehidri, Rustemaj, Janot, Ujka).
GJYQTARË: S. Greca, E. Malo, M. Sina (Lushnje)
KARTONË TË VERDHË: Mihani 41’ / Brahimaj 83’, Kaja 88’ / Shytani 70’, 73’ (2v), Shaba 80’
KARTON I KUQ: Shytani 73’