Një tjetër kritikë për Milanin dhe një “shigjetim” për Xhenaro Gatuzon. Ish-presidenti i kuqezinjve, Silvio Berluskoni, që tashmë ka marrë në pronësi Monzën, i rikthehet sulmeve ndaj “Djallit”, pas dy humbjeve me radhë të skuadrës, në derbin me Interin dhe në Europa League ndaj Betisit.
Sipas “Sportmediaset.it”, Berluskoni tha: “Si tifoz, e ndjek gjithmonë Milanin. Ndjej gjithmonë keqardhje, sepse vuaj kur e shoh skuadrën të vendosur në fushë në mënyrë jo-efikase, Milani e godet pak portën dhe qendër-sulmuesi ynë (Higuain) nuk merr shumë pasime nga pjesa tjetër e ekipit”.
“Natyrisht, që e gjithë kjo situatë lidhet me modulin e lojës. Shpresoj që të ndryshojë diçka në rreshtimin e skuadrës në fushë. E ardhmja e Gatuzos? Janë vendime që i përkasin krerëve të klubit dhe nuk kam aspak ndërmend që të përfshihem në këtë çështje”.