Klubi francez i Lilës nuk dorëzohet për Etrit Berishën. Pas refuzimit fillestar të Atalantës, së fundmi edhe portieri shqiptar e refuzoi propozimin e parë për transferimin e mundshëm në Ligue 1.
Klubi bergamask diskutoi me portierin kuqezi mundësinë e shitjes në kampionatin francez, një destinacion të cilin Berisha nuk e pëlqen. 29-vjeçari dëshiron të qëndrojë në Serinë A, ose të paktën ta ndërrojë kampionatin italian për një tjetër ligë prestigjoze.
Megjithatë, refuzimi i “gardianit” nuk i ka demoralizuar drejtuesit e Lilës, që tashmë kanë paraqitur një ofertë zyrtare te homologët e Atalantës. Oferta për portierin është rritur dhe zikaltërit po e mendojnë, edhe sepse kanë shansin që të rikuperojnë 5 milionë eurot e shpenzuara gjatë vitit të kaluar për ta blerë nga Lacio.
Te Atalanta po e studiojnë me kujdes propozimin e paraqitur nga Lilë dhe nëse shifra është e kënaqshme, e Berisha bindet për të luajtur në kampionatin francez, që është një prej pesë ligave më të mëdha në Europë, atëherë orët në vazhdim mund të sjellin zhvillime konkrete.