Mbasi mbylli aventurën në Botëror me Marokun, Medi Benatia po punon për të arritur formën maksimale dhe për të luftuar për një vend titullari te Juventus. Rikthimi i Bonuçit i ka zvogëluar hapësirat e 31-vjeçarit, por ai nuk dorëzohet. Qendërmbrojtësi po kalon një problem me zorrët dhe ka vendosur të mos marrë pjesë në ndeshjen e Marokut përballë Malauit.
Ndryshe mendojnë mediat e vendit të tij dhe “Lion de Atlas”, akuzon Benatian për krijimin e një dëmtimi të paqenë me qëllimin për t’u përqendruar te klubi i tij. Media marokene tregon që lojtari ka biseduar me trajnerin Renard dhe ky i fundit ka pranuar kërkesën e tij, ndërsa artikulli mbyllet me kërkesën drejt mbrojtësit për t’u paraqitur përpara mjekëve të kombëtares për konfirmimin e dëmtimit.
Mbrojtësi i bardhezinjve ka reaguar në rrjetet sociale, ku shfaqet tepër i nervozuar. “Jeni të çmendur. Te doktori shkohet kur je i dëmtuar dhe falë zotit, unë nuk jam. Nuk është e vërtetë që është dërguar një raport mjekësor nga klubi im. Dëmtimi im është një imagjinatë e Atlas. Nuk kam nisur të luaj në këtë fillim sezoni, sepse nuk jam akoma në kushtet më të mira fizike, kështu që më duhet të punoj shumë në aspektin fizik. Kjo është e gjitha çka mund t’iu them për shëndetin tim dhe falë zotit, nuk jam i dëmtuar”, përfundon mbrojtësi i Juventusit.