Trajneri i Teutës, Gentian Begeja, për “Supersport” u shpreh i kënaqur që skuadra e tij mundi të merrte një fitore shumë të vlefshme ndaj kukësit. Numri 1 i stolit të Teutës u shpreh se diferenca në këtë përballje ishte motivimi.
“Në këto situata që jemi, 3 pikët ishin zgjidhja ideale sepse ne jemi në pozita jo komode. Vinim pas një ndeshje shumë të mirë, një trepikëshi flori. Diferencën e bënë motivacionet. Ishim të motivuar ndaj një skuadre me kualitet dhe shumë të fortë. Ishte një fitore e merituar sot”.
“Motivi ishte ajo që bëri diferencën në fushë. Sot vuajtëm, ishim në avantazh 3-1 dhe kundërshtari na vuri në presion. Për fat ndeshja përfundoi në favorin tonë dhe mendoj se e merituam fitoren”.
“Skuadra nuk do e ulë ritmin, pasi janë dhe 3 ndeshje për t’u luajtur. Si Kamza dhe Vllaznia do luftojnë fort me ne për mbijetesë. Nuk mund të ulim ritmin. Një rezultat pozitiv në Korçë do na jepte shumë shpresë për qëndrimin në Superiore”.
“Skuadra në situatën ku jemi, është e angazhuar plotësisht. Kishim më motiv për të marrë fitoren. Kishim dy mungesa të rëndësishme si Alhasan dhe Beqja. Çdo ndeshje ka specifikat e saj dhe ndaj Skënderbeut ka specifikat e veta, ne do shkojmë për të marrë një tjetër rezultat pozitiv dhe për të mbajtur ritmin që kemi”.