Një ndër presidentët më jetëgjatë në Serinë A, ai i Udinezes, Xhampaolo Poco, shfaqet rrallë në media, por është një personazh mjaft interesant, sepse ka ndërtuar një perandori të vogël në Udine dhe i lejon vetes luksin të blejë edhe klube në Spanjë e Angli, duke qarkulluar lojtarët e tij të talentuar.
Dje presidenti i klubit bardhezi foli në Telefriuli në lidhje me teknologjinë VAR dhe ka lëshuar një deklaratë të fortë, që do të ngjallë shumë polemika dhe ka bezdisur jo pak Juventusin, që po ndihet i sulmuar nga të gjitha anët, tani që teknologjia po i jep disa penallti kundër.
“VAR? Jam i kënaqur, sepse janë parë gjëra që pa VAR nuk do verifikoheshin. Natyrisht ka ende punë për të bërë, por ajo që është parë deri tani është pozitive: më parë nuk shihnim penallti kundër Juves. Edhe ne kemi pasur pro e kundër, por është diçka që të siguron dhe të jep qetësi. Kam 33 vite në futboll, vite të vështira, por tani ndihem më i sigurt”.