Batha: Kukësi me fat, Hoxha është kapiteni

Mesfushori: Verilindorët nuk e merituan barazimin. Duhet të shënojmë gola. Nuk më shqetësojnë pikët. Në Korçë kemi treguar se dimë të fitojmë

Mesfushori Idriz Batha ka folur pas ndeshjes me Skënderbeun. Numri 10 i Partizanit, që mbajti edhe shiritin e kapitenit, mendon se Kukësi nuk e meritoi barazimin. Sipas tij, të kuqtë duhet të fitonin. Kapiteni ka rezerva edhe për sulmin, pasi nuk po arrijnë të shënojnë.

– Prisnim një reagim të Partizanit, por nuk shkoi më shumë se një barazim…

– E vërtetë, por nuk luajtëm keq, pasi e mbajtëm kundërshtarin në gjysmëfushën e tyre. Luajtëm mirë, pasi krijojmë volum loje, por nuk po arrijmë të zhbllokohemi. Duhet të punojmë më shumë për të shënuar.

– Tashmë jeni pesë pikë larg kreut, e shihni të rrezikshme situatën?

– Jo, pasi është vetëm fillimi. Ekipet po lënë pikë dhe pritet të lënë pikë, siç kemi bërë edhe ne. Nuk mendoj se është e rrezikshme si situatë.

– E prisnit këtë Kukës, duke parë edhe rezultatet e tyre të fundit?

– Kukësi mbetet kampioni në fuqi. E dinim se do të ishim më lart me to me lojë, siç kemi qenë gjithmonë, por fati nuk ka buzëqeshi.

– Çfarë ndryshimesh ka ky Partizan me atë të vjetshmin?

– Mendoj se po vuajmë pak shënimin e golit. Duhet t’u japim më shumë kohë futbollistëve të rinj dhe stafit të ri të ambientohen. Mendoj se loja do të jetë në rritje.

– Si u ndjetë në këtë ndeshje si kapiten?

– Nuk është hera e parë që mbaj shiritin e kapitenit. Për mua, kapiten vazhdon të jetë Albani, pavarësisht se kush mund ta mbajë shiritin.

– Kujt i druheni më shumë prej rivalëve?

– Askujt, vetëm vetes tonë.

– A ishte kalendari i pamëshirshëm për ju, pasi shkoni në Korçë?

– Nuk e mendoj, pasi këto janë ekipet. Si të luash në javën e dytë e si të pestë njëlloj është. Në Korçë kemi treguar se dimë të fitojmë dhe mund ta bëjmë përsëri.

– Mendoni se barazimi ishte rezultati më i drejtë?

– Jo nuk mendoj, pasi në pjesën e dytë ata nuk erdhën në portën tonë.

– E menduat si gol, pritjen që ju bëri Koliçi?

– Po, në fillim mendova se hyri, por Koliçi bëri superpritje. E përgëzoj, pasi do guxim të nisesh te topi më përpara dhe ja doli mbanë mjaft mirë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *