Migjen Basha e ka humbur vendin e titullarit së fundmi me Arisin e Selanikut në Greqi, por mbetet një nga lojtarët e rëndësishëm të kombëtares shqiptare. Eksperienca e tij është e vlefshme për trajnerin Kristian Panuçi, i cili e ka ftuar për dy ndeshjet me Turqinë dhe Andorrën. Basha foli sot para mediave dhe komentoi çështje të ndryshme rreth kuqezinjve.
TURQIA – “Përgatitjet janë si çdo herë. Po mundohemi të përqendrohemi. Ndeshja e parë është e rëndësishme. Herën e fundit fituam në Portugali dhe shkoi pastaj mirë. Duhet një fitore patjetër. Kemi një ekip të vështirë përballë. Luhet për tre pikët.”
ECURIA – “Sa i takon Ligës së Kombeve, fituam me Izraelin dhe u mposhtëm në Skoci. Në Izrael nuk merituan të humbnim. Me Skocinë e mbyllëm keq, por kartoni i kuq ndryshoi çdo gjë dhe njerëzit nisin kritikat për të gjithë. E mbyllëm keq dhe tani duam të ndryshojmë diçka.”
KUALIFIKIMI – “Shanset i kanë të gjithë, futbolli ka ndryshuar. Duhet fat dhe mos të nënvlerësojmë askënd. Nuk mundemi të bëjmë më keq sa i takon rezultateve.”
OPINIONI – “Lenjani ka marrë vendimin e vet. Strakosha është një çështje disiplinore.”
KONKURRENCA – “Kemi mendim pozitiv, Abrashi luan në Frajburg, Kaçe po luan. Jemi edhe ne pleqtë, unë e Lediani. Konkurrenca të rrit edhe në stërvitje. Jemi stërvitur dhe nuk jemi ankuar asnjëherë nëse jemi titullar. Nuk ka rëndësi sa minuta luajmë, duhet të dimë se po mbrojmë ngjyrat kuqezi. Kombëtarja duhet të ecë përpara, nuk ka rëndësi kush luan. Kombëtarja të ndihmon, por nuk të çon te Reali i Madridit.”
GRUPI – “Duhet të ndihmojmë çdo lojtar, i ri apo i vjetër. Duhet t’i flasim pozitivisht. Duhet me fol pozitivisht me çdo lojtar, pavarësisht raportit. Duhet t’u tregosh disiplinën dhe rëndësinë e këtyre ngjyrave.”