Mesfushori Kristian Adorjan erdhi me bujë verën e shkuar te Partizani, që e mori në huazim nga Novara, si pjesë e procesit të dështuar të italianizmit me lojtarë italianë dhe Mark Julianon në stol. Premisat ishin të mira, pasi Adorjan vinte nga një sezon jo i keq në Serinë B, ku me Novarën kishte shënuar 2 gola në 25 ndeshje dhe në moshën25-vjeçare kishte motivim të madh për të treguar sa vlente.
Megjithatë, nga të qenit talent te Liverpuli deri te shkëlqimi në Superiore disa vite më vonë nuk është aq e thjeshtë sa mendohet dhe Adorjan mund të quhet një dështim kolosal, përtej faktin se askush nuk shkëlqeu te Partizani në pjesën e parë të sezonit. Në dhjetor klubi i kuq e nxorri jashtë planeve të veta, edhe për shkak të pagës së lartë, por problemi është se kontrata e huazimit 1-vjeçar nuk prishet aq lehtë.
Novara e ka të qartë se mesfushori do të mbetet pa luajtur deri në verë, ndaj po i kërkon me dëshpërim një sistemim. Ditën e djeshme nga Italia (TMW) erdhi lajmi se hungarezi pritet të shkojë në Irlandë, te Dundalku, skuadra nënkampione e vendit, që pas pak javësh do të nisë kampionatin. Hap pas në karrierë, por më mirë se të rrijë rrugëve në Tiranë. Partizani lutet që Dundalku dhe Adorjan të bien dakord…