Të paktën për një natë, Bari e sheh veten në vendin e tretë në Serinë B, shumë pranë kreut të renditjes. Klubi jugor synon edhe këtë sezon ngjitjen në Serinë A dhe duket në rrugën e duhur, edhe pse është mjaft e vështirë.
Sot skuadra puljeze mposhti 4-1 Çitadelën në shtëpi dhe vendimtar ishte edhe mesfushori ynë Migjen Basha. Një pikë kyçe në formacionin e drejtuar nga Fabio Groso, Basha shënoi një gol të bukur me kokë në minutën e 20-të, duke barazuar shifrat në 1-1, sepse Çitadela e kishte nisur ndeshjen me gol që në minutën e dytë.
Në pjesën e dytë nisi “furtuna” bareze, sepse Improta në minutën e 48-të, Galano në të 68-tën dhe sërish Basha në të 77-tën me një gjuajtje nga distanca siguruan fitoren spektakolare.
Është dygolëshi i parë në karrierë për mesfushorin 30-vjeçar, i cili këtë sezon ka gjetur një ritëm perfekt, duke u bërë mjaft i rëndësishëm edhe në kombëtaren shqiptare.