Është ende një “fëmijë” dhe entuziazmi duhet frenuar, por nëse një si Diego Simone i beson, pse të mos e bëjmë ne, që lojtarë të tillë i prodhojmë një herë në 10-15 vjet? Kujtojmë rastin Cana, por ana tjetër e medaljes është Manaj, ndaj duhet pritur e duhet besuar se Simeone do të na dhurojë një fenomen për kombëtaren shqiptare.
Prrotagonist absolut te “colchoneros” në ndeshjen e Audi Cup kundër Liverpulit, Bare rrëfen për Supersportin emocionet.
“Jam shumë i lumtur që shënova përballë një ekipi shumë të madh si Liverpuli. Ishin emocione shumë të mëdha, sepse ishte goli im i parë me Atletikon dhe këtë moment e ëndërroja prej kohësh. M’u dha rasti dhe e shfrytëzova në maksimum. Shpresoj të vazhdoj kështu dhe të paraqitem sa më mirë në ekipin e parë të Atletiko Madrid.”
Keidi është bërë një lojtar i vlerësuar nga të gjithë në skuadër dhe pas ndeshjes vërshuan urimet: “Pas ndeshjes, për mua ishte një atmosferë shumë e mirë, shumë e bukur dhe shumë e veçantë. Më uruan shumë lojtarë, të cilët janë legjenda për klubin, si Fernando Torres dhe me radhë. Për golin më uruan trajnerët dhe lojtarët, të gjithë. U ndjeva pjesë e tyre. Më thërrisnin në spanjisht “goleador”, që do të thotë golshënues.”
Diego Simeone ka besim të madh tek ai, por djaloshi nga Fieri shfaqet modest dhe i matur: “Unë bëra vetëm detyrën që më takonte në fushë. Bëra atë që më kërkoi trajneri dhe shpresoj që ta kem bërë sa më mirë.”
Tashmë për Baren nisin ëndrrat e mëdha. Kapiten dhe lojtari më i rëndësishëm i Kombëtares Shpresa, tashmë ëndrra e radhës është debutimi me ekipin e parë të Shqipërisë: “Gjërat vijnë hap pas hapi. Do isha shumë i lumtur që të isha pjesë e Kombëtares së madhe. Por, unë do të shkoj atje ku do të më thërrasin dhe shpresoj të jap më të mirën atje ku do të jem. Nëse më grumbullojnë në Kombëtaren e madhe të jap maksimumin atje dhe nëse do të jem me ekipin Shpresa përsëri do të bëj më të mirë. Të jesh pjesë e Kombëtares së madhe është diçka shumë e veçantë. Fanella kuqezi është si një lëkurë e dytë për mua dhe e pres me padurim debutimin me ekipin e parë të Shqipërisë.”