Përballë Barcelonës, çdo skuadër do të kishte paksa frikë, por Interi nuk ka ndërmend të dorëzohet ende pa zbritur në fushë. E tha qartë Miranda dhe e konfirmoi trajneri Spaleti: zikaltërit janë të bindur se i kanë të gjitha kartat në rregull për të luajtur si të barabartë me katalanët. Meritë e fitores në derbi, por edhe e mungesës së yllit të “blaugranave”, Lionel Mesi.
Pas frakturës së pësuar në dorë, sulmuesi argjentinas do të mungojë edhe në ndeshjen e kthimit kundër Interit në stadiumin “Meaca”: “Barcelona mbetet një skuadër e madhe, sepse kanë shumë alternativa, por natyrisht që do të jetë më e lehtë të përballesh me ata pa Mesin”, shpjegoi trajneri zikaltër në konferencën për shtyp.
Por, edhe Interi ka shqetësimet e veta, me repartin më problematik që është mesfusha: Galjardini dhe Zhoao Mario nuk janë në listën e Champions-it, Brozoviç nuk është në formë optimale dhe Vesino e Borja Valero kanë shpenzuar shumë energji në derbin e së dielës. Spaleti po studion zgjedhje alternative, për ti shfrytëzuar edhe gjatë ndeshjes, ku përpos spostimit të mundshëm të Asamoah në mesfushë, trajneri beson se edhe Shkrinjar mund të luajë në mesfushë.
Spaleti konfirmoi aktivizimin e Mirandës nga minuta e parë, me brazilianin që mund të aktivizohet përkrah de Vrij në qendër të mbrojtjes. Lëvizja do të bënte që Shkrinjar të spostohet në mesfushë, një lëvizje që tekniku toskan po e studion dhe sipas gjasave do ta shfrytëzojë në momentin e duhur. Ndërkohë, favoritë për një fanellë titullari mbeten Brozoviç e Vesino, por asnjëri prej tyre duket se nuk i përballon dot 90 minutat dhe kjo manovër e Spaletit duket mëse e nevojshme.