Para ndeshjes lojtarët përshëndesin ish-stafin, kurse pas ndeshjes ka kërkesë llogarie në dhomat e zhveshjes dhe ngritje zëri
Në Kukës luhej “derbi i Veriut” mes ekipit vendës dhe Vllaznisë së Ernest Gjokës, që kërkonte të dilte nga kriza. Kukësi, pas 3 fitoreve radhazi, e kishte të qartë se duhej vetëm fitorja për të mos humbur Skënderbeun nga “radarët”. Para ndeshjes atmosfera ka qenë pozitive: optimizëm te të dyja skuadrat për rezultat pozitiv. Lojtarët e Kukësit përshëndetën ish-stafin e tyre, me të cilin fituan titullin. Në fund 2-2 dhe zhgënjim te vendasit, të cilët e donin me çdo kusht fitoren, edhe pse me mënyrën si shkoi loja, nuk duhet të kishte aq shumë mërzi.
Në fakt, ka pasur debat dhe ngritje zëri në dhomën e zhveshjes së Kukësit. Nuk ishte e vështirë që në korridoret e stadiumit të dëgjoheshin të bërtiturat që vinin nga kjo dhomë. Trajneri Milinkoviç qëndroi i distancuar për disa minuta, preferoi të pinte cigaren në korridor, kur ndihmësit e tij diskutonin barazimin, që interpretohej dhe përjetohej si humbje. Jo vetëm diskutime apo debat mes stafit teknik, por edhe mes lojtarëve.
Diçka nuk shkon dhe një barazim me Vllazninë ka mjaftuar që ujërat të trazohen jo pak. Dje është prishur harmonia në skuadër, edhe pse në lojë janë ende shumë pikë. Presidenti Gjici u largua menjëherë pas takimit, por kjo s’do të thotë se do t’i kursejë kritikat. Pas ndeshjes trajneri Milinkoviç tha se vetëm presidenti Gjici ka të drejtë të ankohet dhe mbetet për t’u parë nëse do të jenë vetëm ankesa e kritika, apo edhe masa konkrete për dy pikët e lëna ndaj Vllaznisë.