Barazim i drejtë në Berat në derbin e njohur tradicional midis skuadrave fqinje të Tomorit dhe Lushnjës, të cilat kanë treguar në këtë përballje se jo vetëm që kanë bërë ndryshime të shumta në krahasim me një sezon më parë, por edhe se do t’u duhet shumë punë për të bërë për t’u ngjitur elitë.
Si Tomori, ashtu edhe Lushnja, kanë treguar se janë skuadra të brishta dhe që bëjnë shumë gabime, si për sa i përket mungesës së konkretizimit para portës, ashtu edhe në repartin e mbrojtjes, ku beratasit në mënyrë të veçantë çalojnë shumë në qendër të saj, ndërsa sulmuesit afrikanë janë shumë larg të qenit sulmues të mirëfilltë.
Pjesa e parë ka qenë e zbehtë dhe me raste të pakta për shënim, por Sulkja ka befasuar Tomorin, me nmjë goditje të saktë me kokë brenda zone.
Fraksioni i dytë nis me ndryshime në formacionin e Tomorit, që hedh në fushë dy mesfushorë shumë aktivë, Dobra dhe Dyca, që i japin impuls sulmit vendas, dhe rastet pasojnë njëri tjetrin në të dy portat. Lushnja shpërdoroi raste të shkëlqyera dhe atë që nuk e bëjnë miqtë e kanë bërë beratasit, që fitojnë një 11-metërsh me anë të Dycës, të cilin lushnjarët e kontestojnë fort, por kapiteni Çaço realizon nga pika e bardhë dhe 1-1 pas një ore lojë, rezultat që do të mbetet i tillë deri në përfundim të takimit, edhe pse emocionet nuk kanë munguar tek të dy portat me raste flagrante për gol. Dy herë Ogbodike për vendasit, edhe duke shmangur portierin në një rast, nuk shënon, apo Dyca përpara tij që i devijohet topi në korne, ndërsa miqtë bëjnë gabimin e radhës me Sefën dhe me Mezinin që falin përballë Kaloshit.
TOMORI – LUSHNJA 1 – 1
Shënues: Çaço 66′ 11-m. / Sulkja 34′
TOMORI: Kaloshi, Beci, Mujkic, Rodrigo ( Dyca 64′ ), Paja, Koleci, Joti ( Gega 92′ ), Friday, Çaço, Sharavolli ( Drabo 46′ ), Kingsley. Në dispozicion: Braçe, Mersini, Gjonaj, Mahmutaj .
Tr: Gersi Arbëri
LUSHNJA: Bejte, Xhafa, Bufasi, Sulkja, Korreshi, Alushi ( Fejzaj 93′ ) Taullau, Musaku, Allkanjari ( Baze 70′ ), E. Gjyla ( Mezini 75′ ), Sefa Në dispozicion: Spaho, Qose, Ademi, Dervishi .
Trajner: Ilir Gjyla
KARTONË TË VERDHË: Mujkic 90′ / Alushi 15′, Allkanjari 63′, Bejte 87′, Fejzaj 89′
GJYQTARË: E. Hamiti, P. Simoni, E. Muca ( Lezhë )
Pas ndeshjes:
- AGALLIU ( ZV.TRAJNER I TOMORIT)” Ju e patë edhe vetë që ky takim ishte një mundësi shumë e mirë për tu fituar nga ana jonë, por mendoj se meqenëse rastet nuk na munguan, ka qënë mungesa e fatit besoj unë ajo që na mbajti larg fitores, edhe pse si një skuadër e re do të na duhet që të punojm,ë akoma më shumë për harmonizimin e grupit.
- GJYLA (TR. LUSHNJA): Kishim ardhur në Berat për një nga dy rezultatet pozitive, dhe skam pse ta fsheh që jam i kënaqur nga ky rezultat, edhe pse mund dhe duhej ta kishim fituar këtë takim, po të kemi parasysh që kemi humbur raste flagrante për gol, dhe madje duhej ta kishim dyfishuar avantazhin. Sa për 11-metërshin e dhënë në favor të Tomorit unë kam dyshimet e mia, por janë pamjet televizive ato që do të gjykojnë më mirë, ne tani duhet të ulim kokën dhe të punojmë shumë, sepse kjo është vetëm java e parë, dhe për të qenë pretendent do të na duhet të ulim kokën dhe të punojmë fort.
TË VEÇANTA:
1) Në Berat askush nuk është kujtuar edhe në këtë start kampionati që të zhvillohet sipas traditës një ceremoni me shkelmim topi nga qendra të një figure të njohur të futbollit beratas, dhe të shumtë kanë qenë sportdashës dhe specialistë që e kanë komentuar me keqardhje këtë vendim të klubit që edhe në sezonet e mëparshme nuk ka zhvilluar ceremoni të tilla.
2) Mungesa e forcave të rendit brenda ambienteve të stadiumit, nuk do të thotë se forcat e policisë nuk kanë qenë aspak indiferente, pasi në bashkëpunim të ngushtë me delegatin Besnik Çela janë marrë të gjitha masat për mbarëvajtjen e këtij takimi.
3) Në funksion të rregullave të hekurta në stadium, tifozeritë kanë qenë të ndara dhe larg njëra tjetrës, ata beratas në njërën anë të tribunës qendrore, ndërsa miqtë nga Lushnja të grupimit “DELEGATET” janë vendosur në pjesën veriore pas njërës prej portave të fushës.
4) Në minutën e 25′ kryesori i takimit ka ndërprerë lojën për t’u dhënë mundësi futbollistëve të freskoheshin për shkak të motit shumë të nxehtë.
5) Tomori për të gjashtin vit radhazi nuk fiton dot ndaj Lushnjës në një ndeshje shtëpie.
6) Pas përfundimit të ndeshjes tekniku i Tomorit Gersi Arbri ka lënë stadiumin.
7) Menjëherë pas ndeshjes, futbollistët e Tomorit që nuk u aktivizuan në këtë takim, kanë dalë në stërvitje.
8) Pas përfundimit të ndeshjes delegati Besnik Cela ka kërkuar që të shikoj nëpërmjet pamjeve filmike momentin e 11-metërshit të akorduar në favor të Tomorit duke e cilësuar si të rregullt vendimin e gjyqtarit kryesor Hamitaj, madje këtë ja ka komunikuar në mënyrë miqësore edhe teknikut lushnjar Ilir Gjyla pas takimit.