Mbrojtësi 25-vjeçar Ivan Balliu është një personazh i veçantë: i lindur dhe rritur në Spanjë, formuar te Barcelona si futbollist, tani luan te Metzi në Ligën 1 franceze, ka prejardhje shqiptare, por nuk di fare shqip.
Balliu nuk di as italisht dhe është e çuditshme ta shohësh në stërvitje, me Panuçin që mban fjalim në italisht dhe dikush e përkthen në shqip, por Balliu vështron pa kuptuar asgjë.
Edhe në Spanjë janë kuriozë për historinë e Balliut, i cili në një intervistë për të njohurën Marca zbulon diçka shumë interesante: ai vetë nuk e dinte që ishte me prejardhje shqiptare, derisa e kontaktuan nga Shqipëria.
“Në prill më telefonuan dhe pata një takim me presidentin Armand Duka. Më pyetën për mbiemrin tim, sepse është shumë i zakonshëm në Shqipëri. Pastaj nisën kërkimet dhe rezultoi që nga ana e babait kisha prejardhje shqiptare. Diçka të tillë nuk e dija, sepse familja ime i kishte humbur kontaktet”.
Në fakt, debutimi i tij u vonua shumë: “Fola me ish-trajnerin De Biazi përpara sesa ai të largohej. Dëshironte që të luaja në ndeshjet e qershorit, por për çështje dokumentacioni nuk munda”, tregon ai.
Grumbullimi i tij me Shqipërinë nuk është rastësi. Shqipëria, që arriti një kualifikim historik në “Euro 2016” u prezantua në Francë me 11 “të huaj”: pesë shqiptarë të Kosovës, katër zviceranë, një shqiptar i Maqedonisë dhe një gjerman. Ndërkaq, Ivan Balliu u shndërrua në një nga debutuesit më të mirë të kampionateve më të rëndësishëm në Europë. Luajti 27 ndeshje me Metzin në Ligën e parë franceze, dha 5 asiste (ndër 8 lojtarët më të mirë debutues në ligat e mëdha), 90 krose (top 15) dhe 56 thyerje të aksioneve kundërshtare (top 20).
“Po më trajtojnë shumë mirë. Të gjithë janë shumë të këndshëm dhe po më ndihmojnë shumë. Jam shumë i kënaqur, për mua është një hap i madh. Do të luaj ndeshje të mëdha, kundër kombëtareve të mëdha dhe kjo më bën shumë të lumtur”, shton Balliu.
Në mënyrë kurioze, Balliun do ta drejtojë ish-mbrojtës i djathtë si Kristian Panuçi, që ka luajtur edhe në Spanjë. “Nuk kemi folur ende në mënyrë private. Kemi folur më shumë në nivelin kolektiv, por jemi shumë të afërt”.
Shqipëria ndodhet e treta në Grupin G dhe Panuçi synon ta ruajë këtë vend: “Trajneri kërkon të krijojë një imazh të mirë, duke luajtur bukur. E dimë që të shkojmë në Botëror është thuajse e pamundur, por duhet të punojmë për të përgatitur eliminatoret e Europianit të ardhshëm. Kemi lojtarë të mirë”, shton Balliu.
Në muajin e ardhshëm, Balliu do të përjetojë një ndeshje shumë speciale. Shqipëria do të vizitojë Spanjën dhe pak ditë më pas do të luajë me Italinë. “Janë ekipet më të mëdhenj të grupit. Nuk e di sa bileta do të më kërkojnë miqtë e familjarët. Që tani kanë nisur ta bëjnë”.
Ndeshja kundër Spanjës do të jetë shumë speciale: “Kam miq të mirë te Spanja. Kam luajtur me ta dhe shpresoj që t’i takoj sërish: Bartra, Sergi Roberto, Tiago Alkantara, edhe Isko. Do të jetë diçka argëtuese”, tha mbrojtësi. Balliu u krijua në akademinë e Barcelonës dhe luajti me ekipet e moshave që nga 12 deri në 21 vjeç
E SHKUARA TE BARCELONA – Balliu u rrit te akademia e famshme e Barcelonës, La Lasia. Ishte kapiten i të rinjve dhe arriti të grumbullohej dy herë në fazën përgatitore me ekipin e parë. “Kam udhëtuar si me Guardiolën, ashtu edhe me Vilanovën. Të dyve u jam shumë mirënjohës. Më ndihmonin, më korrigjonin dhe më flisnin, më bënin të ndihesha si një lojtar i ekipit të parë, pa asnjë dallim.
Në vitin 2013 erdhi largimi: “Në atë moment kisha përpara lojtarë si Dani Alvesh dhe Montoja dhe e kisha shumë të vështirë që të gjeja minuta. Për këtë, vendosa të gjeja një tjetër skuadër që do të më ofronte mundësinë të luaja rregullisht”, vazhdoi më tej lojtari kuqezi.
Balliu është rehatuar dhe përshtatur mirë te Metzi, ku luan prej dy vitesh, ndaj tashmë nuk ka dëshirë të lëvizë: “Më donin në Spanjë, por vendosa të rinovoj për 2 vitet e ardhshme, sepse e ndiej që më duan dhe jam i rëndësishëm te Metzi. Sezoni i shkuar ishte shumë i mirë”.