Elis Bakaj ka qenë një ndër goditjet më të mëdha të Kukësit dhe të gjithë Superiores në merkaton e kësaj vere. Pas disa muajsh të shkëlqyer te Vllaznia, ku ndarja nuk ishte fort e mirë për shkak se Bakaj nuk dëshironte të luante në finalen e mbijetesës kundër Tiranës, tashmë sulmuesi është kthyer në Tiranë, sepse praktikisht Kukësi aty e ka qendrën e vet dhe spostohet në Kukës vetëm për ndeshjet shtëpiake. Në mikrofonin e Supersportit, Bakaj flet nga Ohri për sezonin e ri dhe flet edhe për rivalët, duke vlerësuar jo pak edhe Flamurtarin, që e kërkoi gjatë këtë verë.
“Po punojmë shumë për Superkupën dh synimi është ta fitojmë. Gjithashtu, po bëjmë përgatitjen e duhur për sezonin e ri.
“Objektivat e mia? Rëndësi ka që të japim maksimumin në fushë, unë mendoj për synimet e klubit, jo ato personale. Nëse Kukësi ka sukses, do të kemi të gjithë.
Kukësi është sërish ekip pretendent serioz për titull, edhe pse është më e vështirë ta mbrosh sesa ta fitosh kampionatin. Do të bëjmë gjithçka për t’ia dalë mbanë.
Alijev partneri i sulmit: “Si fillim është pak e vështirë, sa të ambientohemi. Nuk është vetëm Alijev, është edhe Guri, sulmues mjaft cilësor. Tani duhet të punojmë shumë, të kuptohemi sa më mirë, sepse cilësitë janë në sulm.
Ofertat: “Më kërkoi edhe Flamurtari, me një ofertë të shkëlqyer, por dëshiroja të qëndroja sa më pranë familjes, në Tiranë. E falënderoj Flamurtarin, ka bërë një ekip të shkëlqyer dhe do të jetë pretendent për titull, së bashku me Skënderbeun e Partizanin, por natyrisht edhe Kukësin, që synon ta mbrojë trofeun.
“Një nga arsyet që erdha këtu është presioni dhe ambiciet e klubit. Presidenti Gjici do sukses, unë dua sukses dhe më pëlqen të luaj nën presion, për synime madhore”.