Bajerni i Mynihut shiti këtë verë Arturo Vidal te Barcelona për shumën e 20 milionë eurove, ndërkohë që Karl-Hainz Rumenige ka qenë i qartë: “Kemi disa lojtarë tepër në mesfushë dhe do të ketë largime. Nuk mund të them se kush ikën”.
Kiliani mori i pari rrugën, ndërkohë që tanimë edhe Sebastian Rudi do të shitet. Për kartonin e tij bavarezët do të përfitojnë 15 milionë. Sipas “Kicker”, Lajpcig është skuadra që po ngulmon më shumë dhe kjo jo pa arsye.
Nagelsman, i cili verën e ardhshme do të marrë drejtimin e “demave”, e kërkon në ekip mesfushorin. Rudi është një nga zbulimet e trajnerit në fjalë te Hofenhajmi, madje i kishte besuar edhe shiritin e kapitenit. Gjithsesi për të ka interes edhe nga Shalke.