Një makth i vërtetë për Kingsli Koman: sulmuesi francez është jashtëzakonisht i pafat, ose thjesht fizikisht jo i përshtatshëm për futboll, sepse nuk ka si shpjegohen kaq shumë dëmtime.
Dje, në sfidën ndaj Hertës së Berlinit, Koman u fut në minutën e 58-të të një sfide që rezultoi me e ndërlikuar nga sa pritej, por vetëm 9 minuta më vonë u dëmtua. Francezi ra në tokë pa e prekur askush dhe po mbante kofshën e majtë, shenjë se ka pësuar ndonjë tërheqje muskulore.
22-vjeçari është operuar dy herë në karrierë dhe këtë sezon mungoi për disa muaj, aq sa i dëshpëruar deklaroi se nëse operohet sërish, do ta lërë futbollin.
Të hënën do të kryhen kontrollet e detajuara për të parë shkallën e dëmtimit, por te Bajerni tashmë nuk dinë ç’të bëjnë, sepse sulmuesi po dëmtohet thuajse çdo ndeshje, edhe kur duket në formë perfekte.