Menaxheri i kombëtares gjermane ka lënë të kuptohet se kampionët e Bundesligës do të tentojnë në verë trajnerin e kampionëve të botës në fuqi
Menaxheri i përgjithshëm i kombëtares gjermane, Oliver Birhof ka lënë të kuptohet se gjigantët e Bundesligës, Bajerni i Mynohut do të bëjë një përpjekje të madhe në verë për të joshur trajnerin e kampionëve të botës Joakim Lëv. Por, Berhof ka deklaruar se ai do të bëjë gjithçka për të bllokuar çdo lëvizje të mundshme të Lëvit nga Gjermania drejt stolit të Bajernit. Gjermania ka siguruar kualifikimin për në kampionatin botëror si vendi i parë në grup dhe vitin e ardhshëm shkon në Rusi e bindur për të mbrojtur titullin e fituar në vitin 2014 në Brazil. Lëv do të drejtojë Gjermaninë në “Rusi 2018”, që do të përkojë me vitin e tij të 12-të në krye të “Pancerave”. Por sipas medieve gjermane dhe jo vetëm, Lëv ka nisur të tundohet nga ideja për të drejtuar Bajernin e Mynihut. Bavarezët pasi kanë shkarkuar Karlo Ançelotin fill pas humbjes 0-3 nëe Paris në Ligën e Kampioneve kanë emëruar trajner provizor deri në fund të sezonit teknikun e tripletës Jup Hajnkes. Dhe deri në qershorin e vitit të ardhshëm Bajerni do të kërkojë të rekrutojë një trajner të ri, ku një ndër emrat më të përfolur është ai i trajnerit të Gjermanisë kampionen e botës në fuqi Joakim lëv. Menaxheri i Gjermanisë, Oliver Birhof duke folur për televizionin gjerman “ARD” ka pranuar se Bajerni është i interesuar për Jogi Lëvin dhe në verë do të bëjë të pamundurën për ta bindur atë të lërë kombëtaren gjermane dhe drejtojë rekordmenët e titujve në Bundesligë.
Deklarata e Birhof – Oliver Birhof ka çuditur disi me deklaratën e tij në lidhje me të ardhmen e Joakim Lëv në krye të Gjermanisë. Një ditë para ndeshjes kundër Azerbajxhanit ai ka deklaruar se nuk ka asnjë shans që Lëv të lërë Gjermaninë pë rtë marrë Bajernin. Por ditën e ndeshjes (dje), Birhof ka qenë më i dyzuar në qëndrimin e tij. Ndonëse nga ana tjetër ai ka saktësuar se do të bëjë të pamundurën për të bllokuar një kalim të mundshëm të Jogi Lëvit në stolin e Bajernit. “Në futboll nuk ka asnjë të pamundur, kurrë mos thuaj kurrë. Asgjë nuk mund të përjashtohet – ka thënë Birhof për televizionin gjerman ARD – Ai është një trajner me cilësi të jashtëzakonshme dhe që mund të drejtojë çdo klub në botë. Unë jam i bindur se Bajerni është shumë i interesuar për të marrë nën drejtimin e vet trajnerin Joakim Lëv. Por mos harroni se Jogi ka një kontratë deri në vitin 2020 me Gjermaninë. Nëse bavarezët do të tentojnë t’i afrohen atij do të bllokoj çdo lëvizje.”