Ditën e sotme është luajtur trofeu “Telekom” në Gjermani, ku ekipet pjesëmarrëse ishin Bajerni i Mynihut, Mynshengladbah, Dyseldorf dhe Herta e Berlinit. Bavarezët kanë fituar kupën, që përkon me “trofeun” e parë të këtij sezoni. Ndeshjet që luheshin ishin 45 minutëshe.
Sfida e parë u luajt mes Bajernit dhe Dyseldorfit, ku rezultati final ishte i bardhë pas 45 minutave. Goditjet e penalltive ishin një maratonë, teksa vetëm në serinë e nëntë të gjuajtjeve Bajerni kaloi më tej. Në ndeshjen tjetër, Gladbahu mposhti 0-1 Hertën, me golin e Hazard, i cili shënoi në minutën e pestë të takimit.
Në finale, bavarezët luajtën me formacionin e dytë, ku ra në sy aktivizimi i blerjes më të re, Alfonso Dejvis, i cili bëri një paraqitje të kënaqshme. Sfida finale përfundoi përsëri pa gola, ku penalltitë vendosën fituesin. Ekipi i Niko Kovaç u tregua më i saktë në ruletin ruse, ku Humels shënoi 11-metërshin vendimtar.