“Dopjeta” kuksiane e shndërron ganezin Çarls Atsina në një hero në qytet, ndërsa vetë ai falënderon ish-trajnerin Cungu, familjen dhe të fejuarën
Gaspër Marku
Çarls Atsina i falënderon të gjithë! Nga Cungu te familja e tij. Ganezi i shkodranëve tani është njeriu i momentit në qytetin verior. Dy golat e tij të shënuar në transfertën kuksiane janë përshëndetur jashtë mase në opinionin sportiv shkodran. I spikatur, jo vetëm në tundjen e dy rrjetave në harkun kohor të 20 minutave, me të mbërritur mbrëmjen e së dielës në qytetin verior, ganezi me pasaportë italiane është pritur si “hero” i këtij 90-të minutëshi në gjirin e kuqebluve. Një darkë miqësore me Orelesin, me të cilin, krahas shoqërisë në skuadër i bashkon më shumë edhe fakti se jetojnë në të njëjtën hyrje në qytetin verior, por tavolinës së tyre, duke mos i munguar të bashkohen edhe miq të tjerë shkodranë, të cilët në grup kanë festuar së bashku golat e Atsinës. Por, akoma më e bukur ka qenë paraditja e së hënës dhe në përgjithësi e gjitha dita, pasi golat e tij në Kukës kishin bërë të veten në qytet. Mjaftoi një xhiro në pedonalen e tejmbushur në Shkodrës, që në adresë të Çarlsit të vërshonin përshëndetje dhe urime të pafund për golat dhe paraqitjen e speciale në përballjen me Kukësin. Mes urimeve të shumta, kanë qenë edhe ato tonat personale, por gjithsesi nisur edhe nga profesioni, duke mos nguruar t’i kërkojmë edhe një mendim për gazetën “Sport Ekspres”. “Very Happy, very happy”,- përsërit ai vazhdimisht në anglisht. Më pas duke qenë se ka jetuar gjatë në Itali e përzien jo pak edhe në italisht, por, pse jo dëshira ia do të flasë edhe në shqip, për të cilën thotë se më ndihmën edhe të Orelesit që ka vite më shumë në Shqipëri, thotë se ka filluar të avancojë jo pak. Ndër të tjera, ai thotë se ndjehet shumë i gëzuar dhe shumë i lumtur, jo vetëm që shënoi dy gola vendimtarë për skuadrën, por edhe për rikthimin në fushën e lojës pas atij dëmtimi të gjatë që kaloi.
Dedikimet, Cungut, familjes dhe të dashurës
Në vijim të bisedës me autorin e dopjetës në përballjen me Kukësin, Çarls Atsina, natyrshëm që një ndër pyetjet e zakonshme që shkon në të tilla raste është ajo se për shkojnë golat e shënuar. “Dy golat e mi dua t’ia dedikoj fillimisht mister Cungut, ish-trajnerit tim, të cilit i uroj suksese në vazhdimin e karrierës së tij si trajner. Më pas dedikimi shkon edhe për familjen time, si dhe në veçanti për të dashurën, të fejuarën time Linda Angloma”, thotë për “Sport Ekspres”, Çarlsi. Madje, për këtë të fundit, të fejuarën e tij, bën të ditur se telefonatën e parë të pas ndeshjes e ka marrë nga ajo. “E fejuara ime, Linda, e cila jeton në Londër e ka ndjekur ndeshjen direkt përmes televizorit dhe menjëherë, pasi kam hapur telefonin tim pas ndeshjes në Kukës, telefonata e parë më ka ardhur nga ajo, e cila nuk ishte aspak e vështirë të dalloje që ndihej shumë e lumtur për paraqitjen time”, shton Atsina duke bërë të ditur se ajo punon në një bankë ku ndjehet mjaft mirë nga ana profesionale duke spikatur si një ekonomiste e zonja.
Atsina, në pikëpyetje për ndeshjen e Skënderbeun
Rikthimi i Atsinës në formacionin kuqeblu në ndeshjen e fundit me Kukësin ishte një lajm shumë i mirë për skuadrën shkodrane ku tekniku Gjoka e vendosi menjëherë në majë të sulmit. Besim që ganezi ia ktheu më së miri, duke ia shpërblyer me shënimin e dy golave. Duke u ndalur tek stafi teknik, teksa falënderon ish- trajnerin Armando Cungu për bashkëpunimin që ka pasur me të si teknik, Atsina nuk lë pa përmendur edhe stafin e ri teknik, duke e konsideruar si një fillim të mirë. Sipas tij, trajneri Gjoka ka sjellë një mentalitet të ri, dhe se me të bëjnë një lojë më sulmuese. Por, ajo që tërheq vëmendjen në lidhje me Atsinën ka të bëjë ndeshja e javës së ardhshme. Kur të gjithë presin që forma e mirë sportive e paraqitur nga Çarlsi në sfidën me Kukësin sidomos me atë dygolësh fantastik që në një farë mënyre e shndërroi atë në një “hero” do të pasohet me të tjera shërbime edhe më të efikase në ndeshjen e ardhshme, vjen një lajm aspak i mirë për kampin kuqeblu. Në prononcimin e dhënë për “Sport Ekspres”, ganezi bën të ditur se në ndeshjen e javës së ardhshme me Skënderbeun me shumë mundësi nuk do të luajë. Të paktën, kështu e thotë ai tekstualisht, duke sqaruar se duke qenë se nuk është rikuperuar në masën 100 përqind, nuk preferon të rrezikojë. Megjithatë, një gjë të tillë ai thotë se do ta diskutojë së afërmi me stafin mjekësor dhe atë teknik, gjithnjë duke parë edhe gjendjen aktuale gjatë ditëve stërvitore të javës.