Reagimi i kryebashkiakes ndryshon situatën e kuqebluve. Futbollistët ndihen më të ngrohtë për të ardhmen e tyre, ndërkohë që pritet firmosja e kontratave
Gaspër Marku
Dalja publike e kryetares së bashkisë dhe ngritja e zërit në mbrojtje të të drejtave të Vllaznisë, ka bërë që në kampin kuqeblu të ketë një frymë tjetër. Kjo vërehet në atmosferën pozitive që ka përfshirë përgjithësisht futbollistët kuqeblu në lidhje me të ardhmen e tyre. Premtimi dhe garancitë e dhëna nga ana e kryebashkiakes-presidente, Voltana Ademi, për mbështetje totale në aspektin financiar, ka bërë që futbollistët të ndjehen më mirë dhe më të sigurt për vazhdimësinë e bashkëpunimit me klubin kuqeblu. Ndër të tjera, Ademi ka bërë të ditur se në lidhje me financat Vllaznia duhet të rrijë e qetë, sepse problemet organizative të shfaqura periudhën e fundit janë në rrugën e duhur të zgjidhjes dhe nuk e pengojë aspak atë dhe strukturat e saj të sigurojë fondet e duhura për Vllazninë. Ajo ka kërkuar nga drejtuesit të bëjnë lëvizjet e duhura në merkato, referuar kërkesave që ka paraqitur trajneri Cungu. Por, përpos merkatos, drejtuesit e klubit kanë në vëmendje të plotë edhe kontigjentin aktual që po stërvitet te Vllaznia, mes të cilëve ka futbollistë që kanë nevojë për nënshkrimin e kontratës së re, apo të tjerë që janë në rinovim e sipër. Thirrja e kësaj kategorie të futbollistëve gjatë ditës së shtunë në zyrat e klubit, është tregues i qartë që te Vllaznia tashmë puna po ecën me ritmin e duhur. Tafili, Bardulla, Kalaja, Marku janë disa nga emrat e kontaktuar nga ana e klubit, me të cilët thuhet se gjithçka ka qenë “OK” në raportet dypalëshe, por burimet më të fundit pranë klubit bëjnë të ditur se firmosja zyrtare e kontratave me klubin Vllaznia është shtyrë për javën e ardhshme. Një gjë e tillë ka ardhur pasi nga institucioni i futbollit shqiptar, FSHF, po përgatitet një kontratë tip me parametra të tjerë, e cila do t’i shpërndahet klubeve me fillimin e javës së ardhshme. Kështu, me të mbërritur edhe dokumentacioni i kërkuar nga FSHF, klubi kuqeblu do nisë zyrtarizimet me futbollistët në fjalë, por edhe me pjesën tjetër të kontigjentit që ka qenë sezonin e kaluar në skuadër, përfshirë edhe të rinjtë që janë bashkuar me ekipin për sezonin e ri futbollistik. Burime brenda klubit kuqeblu bëjnë të ditur se një gjë e tillë pritet të bëhet edhe me Shtubinën, futbollist që në fakt gjatë të gjithë ditëve të kësaj jave ka munguar në seancat stërvitore. Për kapitenin është thënë se mungesat në stërvitje kanë ardhur si reagim për mosmarrjen e pagës së muajit maj, por krahas kësaj, burime nga klubi shkodran kanë bërë të ditur dje se në këmbim të firmës për të vijuar bashkëpunimin me Vllazninë, Shtubina kërkon edhe një shtesë të pagës në kontratën e tij. Përsa i përket procesit stërvitor, krahas disa testimeve fizike të ditëve të para të javës që kishin të bënin me sprinte, në fundjavë programi ka pasur një testim të shkallës më të lartë. Bëhet fjalë për vrapimet në 3 mijë metra distancë, që ka dhënë rezultate pozitive për pjesën më të madhe të futbollistëve.