Atletiko e Madridit dhe Borusia e Dormundit e kanë nisur me fitore në grupin A. Spanjollët mposhtën 1-2 Monakon në transfertë, kurse verdhezinjtë Klub Bryzhin me rezultatin minimal 0-1. Atletiko e Madridit u gjend në disavantazh që në minutën e 18-të, kur pasiguria në mbrojtje e tyre u shfrytëzua nga skuadra vendase. Grandsir brenda zone nuk mund të gabonte dhe kaloi në avantazh Monakon.
Gjithsesi spanjollët reaguan dhe barazimi nuk vonoi. Diego Kosta, pas një pasimi të Grizman, i vetëm me portierin kundërshtar nuk fali. Barazim 1-1 dhe u duk se pjesa e parë po mbyllej pa fitues, por nuk ndodhi kështu. Në shtesë ishte Koke që hodhi një kros perfekt në zonë nga një goditje këndi dhe Himenez me kokë e dërgoi topin në rrjetë.
Borusia e Dortmundit ka triumfuar në transfertë kundër Klub Bryzh. Dominimi i gjermanëve është shpërblyer vetëm në fund, kur Pulisiç shënoi golin e vetëm të takimit, që u dha fitoren verdhezinjve.
Grupi A
Monako-Atl. Madrid 1-2
Shënues: Grandsir 18’ / Kosta 31’, Himenez 45+1’
Klub Bryzh-B. Dortmund 0-1
Shënues: Pulisiç 85’
Gallatasaraj ka triumfuar me “tris” kundër Lokomotivë së Moskës, kurse në Gjermani Shalke dhe Porto u ndanë në paqe. Rodrigez i Gallatasaraj veproi mjaft bukur në hyrje të zonës, krijoi hapësirën dhe me një goditje potente e mposhti portierin e skuadrës ruse. Goli i shënuar në minutën e nëntë mbeti në fuqi në pjesën e parë. Turqit kërkuan ta mbyllnin sa më shpejt ndeshjen dhe për të thelluar shifrat në 2-0 mendoi Derdijok, i cili me një gjuajtje perfekte nga një goditje dënimi shënoi. Pak minuta në fund me një lojtar më pak Gallatasaraji, pasi Ndiaje u ndëshkua me karton të kuq. Gjithsesi pikët e plota shkuan për ta, madje duke i çuar në 3-0, pasi Inan shënoi me penallti.
Porto mund ta kishte mbyllur fraksionin e parë të lojës në avantazh, por Tejo nga pika e bardhë e 11-metërshit nuk arriti të shënojë dot në minutën e 13-të. Meritat shkojnë për portierin e Shalkes, që devijoi goditjen e lojtarit kundërshtar. Gjermanët në pjesën e dytë arritën të shënonin pas një kundërsulmi me protagonist MëkKenie, i cili asistoi për Embolo. Ky i fundit e dërgoi topin në rrjetë në të 64’. Dhjetë minuta më pas erdhi goli i barazimit. Sërish penallti për Porton dhe këtë herë Otavio u tregua i saktë, duke i çuar shifrat në 1-1. Me këtë rezultat u mbyll i gjithë takimi.
Grupi D
Gallatasaraj-Lokomotiv Moskë 3-0
Shënues: Rodriguez 9’, Derdijok 67’. Inan 94’ (pen.)
Shalke-Porto 1-1
Shënues: Embolo 64’ / Otavio 74’ (pen.)