Afrimi i Kastriot Dermakut fillimisht dhe më pas i Ardian Ismajlit në Kombëtaren shqiptare, bëri që dikush në Kosovë të rrudhte buzët. Pakënaqësi, apo edhe ndonjë rezervë për vendimin e marrë, pasi dy lojtarët u larguan nga përfaqësuesja e Kosovës, për të veshur ngjyrat kuqezi.
Por, ndryshe nga muajt e kaluar, kur çdo rast i tillë shoqërohej me polemika nga Federata e Futbollit të Kosovës, këtë herë qasja ishte krejt e ndryshme. Befasuese, në kuptimin pozitiv. Nga Malta, ku ekipi i Shaland do të luajë ndeshjen e radhës, presidenti i FFK-së, Agim Ademi deklaroi se Ismajli dhe Dermaku zgjodhën Kombëtaren.
“Ismajli dhe Dermaku nuk janë larguar, por kanë shkuar te ekipi Kombëtar, te Shqipëria dhe i’u urojmë fat dhe tu shkojë sa më mbarë. Arsyeja përse Ismajlit la Kosovën për Shqipërinë? Ishte dëshira e tij, për atë i ka rrahur zemra”, deklaroi Ademi për “SuperSport”.
Për ambiciet e Kosovës në Ligën e Kombeve, kreu i FFK-së tha: “Ne luajmë në çdo ndeshje për fitore, por vendi i parë në grup dhe kualifikimi varet edhe nga ndeshja e Azerbajxhanit. Ne do të mendojmë të fitojmë dhe nëse nuk do ta sigurojmë matematikisht vendin e parë, jemi plotësisht të gatshëm për ndeshjen e fundit në shtëpi ndaj rivalëve direkt të Azerbajxhanit, për ta kthyer në festë”.