Asambleja e Përgjithshme e Zakonshme e FSHF-së 2021 u mblodh sot përmes video-konferencës në platformën online Microsoft-Teams. Në këtë mbledhje morën pjesë anëtarët e Federatës Shqiptare të Futbollit, presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, përfaqësues nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, etj.
Kjo asamble u përshëndet edhe nga Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino dhe Zv.Presidenti i UEFA-s, Karl-Erik Nilsson. Presidenti i FIFA-s, Infantino, duke iu drejtuar anëtarëve të Asamblesë së FSHF-së vlerësoi punën e vazhdueshme të Federatës në të gjitha drejtimet si edhe theksoi implementimin e standardeve të reja dhe moderne që do të fuqizojnë futbollin.
“Jam shumë i lumtur t’ju përcjell përshëndetjet e mia dhe t’ju uroj të gjithëve sot një Asamble te Përgjithshme Vjetore shumë produktive dhe të suksesshme. Jemi shumë të lumtur të shohim punën e madhe dhe të vazhdueshme të Federatës Shqiptare të Futbollit, si brenda dhe jashtë fushës. E ardhmja e futbollit është e varur nga modernizimi, prezantimi i teknologjive të reja dhe infrastruktura e duhur për këdo të përfshirë në zhvillimin e lojës, në të gjitha nivelet. Falë përkushtimit të Federatës Shqiptare të Futbollit dhe me mbështetjen e FIFA-s kemi parë implementimin e standarteve të reja dhe moderne, ndërkohë që presim shumë shpejt prezantimin e video asistent arbitrit diçka që ne presim të fuqizojë futbollin në Shqipëri.
Parimi themelor i vizionit tim për vitet 2020–2023 është ta bëj futbollin realisht global dhe progresi i Shqipërisë veçanërisht më jep kënaqësi. Është mahnitëse kur sheh një vend kaq pasionant për lojën, që ndërmerr hapa kyç, të sigurt drejt rritjes së konkurrueshmërisë së futbollit dhe zhvillimin e tij në të gjitha nivelet e tij.
Kujdesi i veçantë i treguar ndaj futbollit të femrave, me incentivime për klubet që të formojnë ekipe femrash është shumë i rëndësishëm, dhe pa dyshim, futbolli tashmë rezonon me më shumë femra e vajza në të gjithë vendin”, tha Infantino, duke shtuar më tej: “Jemi shumë të lumtur të mbështesim ndërtimin e selisë së re të financuar me fondet e programit FIFA Forward dhe infrastrukturën sportive të saj, çka përfaqëson një hap gjigand sot dhe për të ardhmen. Ndërkohë, kemi ofruar mbështetjen tonë gjatë pandemisë përmes Planit Lehtësues të FIFA-s për COVID-19.
I përcjellim urimet më të mira trajnerit Edoardo Reja dhe ekipit të tij për kualifikueset e Kupës së Botës. Ju jeni në një grup të fortë me Anglinë, Poloninë dhe Hungarinë, gjithashtu edhe Andorrën dhe San Marinon, dhe përgëzojmë ata – dhe ju – për fillimin e mbarë, duke përfshirë dy fitoret. President Duka, pjesëtarë të Federatës Shqiptare të Futbollit, ju falënderoj. Ju lutem vijojeni këtë punë të madhe për ruajtjen e së ardhmes, integritetit dhe zhvillimit të futbollit shqiptar. Faleminderit dhe suksese në Asamblenë tuaj Vjetore”, – tha në përshëndetjen e tij Presidenti i FIFA-s.
Ndërsa, zv.Presidenti i UEFA-s, Karl-Erik Nilsson në fjalën e tij përshëndetëse për asamblenë tha se Federata Shqiptare e Futbollit ka treguar arritje të jashtëzakonshme vitet e fundit, duke përmendur projektet e përbashkëta për rindërtimin e disa stadiumeve në Shqipëri. Nilsson vlerësoi edhe solidarizimin e FSHF-së me anëtarët e saj gjatë pandemisë.
“Jam shumë i lumtur t’ju përshëndes në një rast kaq të rëndësishëm! Do të ishte akoma edhe me e këndshme t’ju përshëndesja nga afër, por për shkak të rrethanave dhe gjithashtu të turneut të rëndësishëm siç është Kampionati Europian UEFA Euro që po zhvillohet aktualisht, më duhet t’ju drejtohem me këtë video-mesazh. Sidoqoftë, unë jam i sigurt që shumë shpejt do të mund të flasim ballë për ballë. Pavarësisht të gjitha sfidave ende përpara nesh, ne jemi optimist dhe gjithmonë duke kërkuar për zgjidhjet më të mira të mundshme. Të gjitha pengesat janë mundësi që duhen shfrytëzuar për të ndërtuar një të ardhme më të mirë së bashku.
Prej më shumë se një viti, futbolli ka luajtur një rol të rëndësishëm në rikthimin e shpresës dhe besimit në jetët e njerëzve. Ne arritëm të realizojmë dy finale të mëdha të Ligës së Kampionëve dhe Europa Ligës me pjesëmarrjen e tifozëve, siç po bëjmë tani me Kampionatin Europian dhe kjo u jep të gjithëve besim dhe optimizëm për të ardhmen.
Futbolli është një, UEFA është një dhe të dyja na bashkojnë. Federata Shqiptare e Futbollit ka treguar arritje të jashtëzakonshme vitet e fundit. Së bashku me mbështetjen e fondeve të UEFA HatTrick ju keni përfunduar rindërtimin e Stadiumit të Elbasanit, Stadiumit “Loro Boriçi”, rindërtimin e “Arenës Kombëtare” dhe së shpejti përfundimin e Stadiumit “Zeqir Ymeri” në Kukës. Së bashku me përfundimin e “Shtëpisë së Futbollit” në Shqipëri, ju vërtetuat me së miri se pavarësisht të gjitha vështirësive të viteve të fundit për shkak të krizës financiare dhe pandemisë, ju vazhduat të investoni në infrastrukturën e futbollit dhe kjo është me të vërtetë e mrekullueshme për zhvillimin e futbollit në vendin tuaj. Mbështetja solidare për anëtaret dhe palët tuaja të interesit gjatë pandemisë e dëshmon këtë.
Ju gjithashtu jeni përqendruar në zhvillimin e futbollit bazë/grassroots dhe futbollit të femrave, ku unë jam i vetëdijshëm për ndryshimin historik të buxhetit të Federatës të dedikuar për të, dhe është gjithashtu e jashtëzakonshme që tani si pjesë e sistemit tuaj të licencimit të gjitha klubet nga “Kategoria Superiore” duhet të kenë një ekip femrash,- në programet sociale të zbatuara për të ndihmuar të rinjtë , përpjekjet për të instaluar dhe zbatuar sistemin VAR për sezonin e ardhshëm, për të përmendur vetëm disa nga aktivitetet dhe përpjekjet tuaja të vazhdueshme.
Për më tepër, ju si Federatë jeni emëruar që të keni nderin dhe përgjegjësinë për të pritur finalen e parë të UEFA Europa Conference League në Maj 2022. Do doja t’ju përgëzoja dhe t’ju uroja gjithë të mirat! Jam i sigurt që do jetë një ngjarje e jashtëzakonshme.
Gjithashtu, në shtator Federata juaj do të presë takimin e komitetit të UEFA HatTrick në Tiranë, për të cilën, unë si Kryetar i Komitetit të HatTrick do të doja t’ju falënderoja personalisht, sikurse edhe edicioni kombëtar i programit të Certifikatave të UEFA për Menaxhimin e Futbollit, e cila është një mundësi e shkëlqyer për zhvillimin e mëtejshëm të njohurive specifike të futbollit për profesionistët në vend.
Në fund, dua të përfitoj nga rasti për të falënderuar Presidentin tuaj dhe kolegun tim në Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s, Armand, për të gjithë mbështetjen dhe bashkëpunimin e madh me UEFA-n. Ju përgëzoj për përpjekjet e vazhdueshme dhe investimet për zhvillimin e mëtejshëm të futbollit në vendin tuaj të bukur. Me siguri, e gjithë kjo do të reflektojë në rezultate edhe me të mira të futbollit tuaj. Çka është me e rëndësishme, unë besoj se marrëdhënia jonë, e mbështetur në respekt dhe besim të ndërsjelltë, do të vazhdojë në të njëjtën mënyrë në vitet e ardhshme. Të dashur miq, ju uroj një Asamble të suksesshme dhe produktive sot, paçi fat dhe gjithë të mirat për ju!”, – u shpreh Karl-Erik Nilsson.