Artur Lekbello mes dy nostalgjive: Rruga e Partizanit, më e vështirë se e Teutës

Për ish-portierin e Partizanit dhe të Teutës, Artur Lekbellon, të dyja këto skuadra veçohen në këtë sezon të Superiores për organizimin e mirë dhe për lojrat me nivel. Për SportEkspres.com, Lekbello e vlerëson si më të bukurën e dy fazave të para përballjen mes tyre në Durrës, ndërsa ecurinë në kreun e renditjes e shikon edhe si një luftë mes Partizanit, Teutës, Kukësit dhe Skënderbeut.

Artur Lekbello është produkt i shkollës së futbollit të Partizanit, ku u formua si një portier që çdo skuadër e kishte “frikë” në shënimin e golit. Në karrierën e tij 15 vjeçare në futbollin shqiptar, Lekbello ka luajtur me Partizanin, Teutën, Flamurtarin e Tiranës, por në këtë karrierë ai mbahet mend për formën e shkëlqyer që tregoi në dy përballjet e Flamurtarit me Barcelonën.

INTERVISTOI: AGRON KAJA

Dy ekipet që ju keni luajtur, Partizani e Teuta, aktualisht po kryesojnë renditjen e Superiores, ju si ndjeheni?
-Natyrisht që në këtë rast ndjehem dyfish mirë, sepse janë dy skuadra ku unë kam pjesën më të bukur të karrierës si futbollist. Por nuk e fsheh se më shumë ndjehem ende lojtar i Partizanit, pasi nga kjo skuadër e madhe unë nisa dhe u formova si futbollist.

Ndoshta ju largove pak Teutës, apo ju rrëmbeu nostalgjia e kuqe?
-Jo, unë u shpreha shumë çiltër, jo se ndjehem indiferent për Teutën. Përkundrazi, këtë sezon ajo po korrigjon mangësitë e kaluara dhe po tregon seriozitet në garë. Për Partizanin, ky sezon i ka larguar polemikat e sezonit të kaluar, e këtu e shoh si moment kyç të suksesit të tij në kreun e renditjes.

Në dy fazat e tjera të Superiores, mendoni se dueli mes Partizanit e Teutës do të jetë i pranishëm në kreun e renditjes?
-Sigurisht që mes tyre do të ketë një duel të veçantë, mbi të gjitha sa i përket lojës së bukur. Edhe në sfidën e javës së 16-të në Durrës në barazimin 1-1, Teuta e Partizani kanë zhvilluar një nga ndeshjet më të mira, pse jo më të bukura në këto 17 javë të këtij sezoni të Superiores.

Partizani e Teuta renditen në dy vendet e para, ju çfarë do të veçonit tjetër në këtë tregues?
-Renditja tregon se në çfarë niveli është çdo skuadër, dhe Partizani e Teuta kanë ditur të përshtatin e të harmonizojnë vlerat e futbollistëve në fushë. Partizani i ka lënë polemikat dhe është në normalitet, ndërsa Teuta ka konsoliduar një skuadër të re ku mbizotëron loja kolektive.

Duke qenë se Partizani realisht është “Kampion Dimri”, do të jetë ky sezoni i trofeut për të?
-Të dalësh “kampion Dimri” është e vështirë, duke menduar që janë dy fazat e para në kampionat. Mendoj se rruga e Partizanit do të jetë edhe më e vështirë në dy fazat e tjera, sepse emri, historia dhe realiteti i tij do të sulmohen nga skuadrat e tjera me gjithë fuqitë e tyre sportive.

Cilat skuadra të tjera i mendoni rivale për titullin kampion në fazën e tretë dhe të katërt?
-Unë mendoj se merkato e dimrit do të të sjellë ndryshime te të gjitha skuadrat e Superiores, por rivalitetin për titullin e pres mes Partizanit, Teutës, Kukësit e Skënderbeut. Ky këndvështrim rrjedh nga dy fazat e para, por në dy të tjerat mund të kemi situata të pa parashikuara.

Kjo javë nisi me krijimin e Ligës Profesioniste në futbollin tonë, e mendoni se është koha për këtë strukturë?
-Nëse e quajmë profesioniste Kategorinë Superiore, Liga besoj se ka qenë një domosdoshmëri dhe realisht e ka kohën e saj. Vazhdimësia do të varet nga organizimi e bashkëpunimi që drejtuesit e saj do të kenë me FSHF-në e klubet. Gjithçka mbetet për t’u parë me optimizëm.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *